Në mungesë të akuzuarit ka dështuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

20201201_113023 1 (2)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Janar 27, 2021

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i pandehuri Nimon Bujupaj, po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së mërkurës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Bujupaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Mustafaj, ka deklaruar se i pandehuri ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt, dhe mos ardhjen në seancë nuk e ka arsyetuar.

“Seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, ndërsa palët do të ftohën edhe njëherë me ftesa të rregullta”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 29 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Nimon Bujupaj, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më parë dhe gjerë më 10 shtator 2019, në Istog, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme është furnizuar me energji elektrike në mënyrë të paautorizuar, duke siguruar shërbime të energjisë, me ç’rast ka shmangur pagesën për shërbimet në fjalë.

Në aktakuzë thuhet se, gjatë kontrollit të bërë tek i pandehurit nga komisioni i autorizuar i KEDS-it, më 27 gusht 2019 dhe 10 shtator 2019, këta të fundit kanë konstatuar se i pandehuri është shkyçur nga distanca për shkak të borxhit, dhe është kyçur direkt me kabllo nga shtëpia në shtyllë elektrike.

Sipas aktakuzës, përsëri i pandehuri nga data 10 shtator 2019 e gjerë më 17 dhjetor 2019, në vendin e njëjtë dhe rrethanat e njëjta si më lartë, është kyçur direkt me kabllo nga shtëpia për në shtyllë elektrike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me veprimet e tij, të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerat 291.88 euro dhe 230.22 euro. /BetimipërDrejtësi