Në mungesë të akuzuarit ka dështuar gjykimi për vjedhje të shërbimeve

20210215_112643 (1)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 23, 2021

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin ku i pandehuri Gani Metaj, po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së martës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Metaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Mustafaj, ka deklaruar se i pandehuri ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt, dhe mos ardhjen në seancë nuk e ka arsyetuar.

“Seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, deri sa të plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së radhës.”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 30 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Gani Metaj, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Metaj më parë dhe gjerë më 23 dhjetor 2019, në fshatin Kaliqan të Komunës së Istogut, përmes mënyrave të tjera ka siguruar shërbime të energjisë elektrike të cilat mundësohen vetëm me shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për këto shërbime.

Në aktakuzë thuhet se, pas kontrollit të bërë nga ana e zyrtarëve të KEDS-it, kanë konstatuar se i pandehuri është kyçur direkt në rrjetin elektrik, duke shmangur njehsorin elektrik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me veprimin e tij, të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 227.28 euro. /BetimipërDrejtësi