Në KGJK shprehin shqetësim se po dështojnë seancat shkaku se avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare po kërkojnë të tërhiqen nga mbrojtja

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 295-të, ka shprehur shqetësim për dështimin e seancave shkaku i angazhimit e pastaj tërheqjes së avokatëve sipas detyrës zyrtare në Gjykatën e Pejës.

Rasti i fundit i dështimeve të seancave në Gjykatën e Pejës ka të bëjë me rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ku avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare po kërkojnë të tërhiqen. Më 13 shtator, Gjykata kishte refuzuar kërkesën e avokatit Blerim Ademaj për t’u liruar nga mbrojtja e Gogajt.

Megjithëkëtë, kryetari i KGJK-së, Albert Zogaj tha se avokatët e angazhuar sipas detyrës zyrtare në Gjykatën e Pejës, rezulton që pranojnë detyrën e angazhimit, por gjithsesi në seancën e parë gjejnë justifikim, nga më të ndryshmit dhe më të çuditshme për t’u larguar nga rasti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kemi dështim të seancave në mënyrë të vazhdueshme, diçka që realisht tregon që procesit gjyqësor, të cilit duhet t’i kontribuojnë, pengohet realisht nga ata që duhet me lehtësu procesin, që është Oda e Avokatëve”, tha Zogaj.

Ai shtoi se është e çuditshme, pasi që ka pasur një insistim të Odës së Avokatëve në mënyrë të vazhdueshme të rritet numri i rasteve të angazhimit sipas detyrës zyrtare.

Lidhur me këtë çështje, anëtari i KGJK-së, gjykatësi Avni Mehmeti tha se nëse i nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale, askund nuk thotë që Oda e Avokatëve e cakton avokatin, por gjykata e cakton avokatin sipas detyrës zyrtare me vendim gjyqësor.

“Është e vërtetë se sipas marrëveshjes që kemi mes dy institucioneve gjykata koordinohet me caktimin e avokatit, por në asnjë mënyrë që Oda e caktojë avokatin, pra avokati caktohet me vendim të gjykatës”, tha gjykatësi Mehmeti.

Ai shtoi se është e përcaktuar shumë qartë kur revokohet ose shkarkohet një mbrojtës, pra nëse caktohet një mbrojtës, ai mbrojtës mundet të shkarkohet vetëm kur ka arsye bindëse, pra nëse gjykata e merr një vendim e cakton një mbrojtës ai mbrojtës duhet të vazhdojë me mbrojt atë të pandehur dhe nuk mund të shkarkojë gjykata kurdo.

Në fund Mehmeti tha se në rast se gjykata cakton një avokat sipas detyrës zyrtare, nuk e shkarkon atë avokat dhe ai avokat refuzon me u paraqit në gjykatë, gjykata për çdo veprim të zvarritjes mund të shqiptojë gjobë.

Ndryshe KGJK me dyer të mbyllura ka diskutuar edhe 3 pika të tjera, të cilat janë shqyrtimi i njoftimit të komisionit për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për certifikimin e përkthyesve dhe interpretëve gjyqësor për çift gjuhët shqip – serbisht dhe anasjelltas, shqyrtimi i raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinore si dhe  shqyrtimi i raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinore. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Të gjitha takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) monitorohen nga “Betimi për Drejtësi”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë