Në Gjykatën Themelore në Prizren dështuan 50 seanca për shkak të bojkotit të avokatëve

Gj.th.pz
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Janar 9, 2019

Prizren – Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të mërkurën, kanë dështuar 50 seanca gjyqësore, për shkak të bojkotimit të përgjithshëm të punës së avokatëve mbrojtës, të cilët e kanë përkrahur vendimin e këshillit drejtues të OAK-së, për të mos prezantuar nëpër seanca gjyqësore.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj.

Ajo ka thënë se ndër 50 seancat e dështuara, janë mbajtur vetëm tre seanca të paraburgimit.

Në mesin e seancave të dështuara për këtë arsye,  ka qenë edhe ajo ndaj drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziut, i cili po akuzohet për keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dështimin e kësaj seance, e ka konstatuar kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili deklaroi se arsyeja për mos mbajtjen e së njëjtës ishte bojkoti i avokatëve.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

Ndryshe, OAK-u ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e KGJK-së, bojkoti i tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.