Në Gjykatën Themelore në Gjakovë për shkak të mungesës së avokatëve dështuan tetë seanca

Gjykataaa
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Janar 10, 2019

Gjakovë – Bojkoti i avokatëve, të cilët kanë munguar në seanca të ndryshme gjyqësore ka vazhduar edhe të enjten.

Për shkak të bojkotit të tyre, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë dështuar tetë seanca gjyqësore.

Në këto tetë seanca, pesë prej tyre kanë qenë të çështjeve civile dhe tri penale.

Ndërsa, seanca të mbajtura gjithsej janë 12, e të cilat i përkasin çështjeve të ndryshme për të cilat nuk ka qenë pengesë procedurale mungesa e avokatëve.

Lajmin për seancat e dështuara e ka konfirmuar zyrtari për informim i kësaj gjykate, Lekë Muqaj.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

Ndryshe, OAK-u ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e KGJK-së, bojkoti i tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.