Në Gjykatën e Mitrovicës mohon fajësinë i akuzuari për falsifikim të dokumenteve

Mitrovice
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Prill 7, 2021

Mitrovicë – Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Afrim Ferati e ka mohuar fajësinë për veprën penale falsifikimi i dokumenteve.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Jagodinka Nikoliq dhe njoftimit të pandehurit me të drejtën e tij në procedurë, ky i fundit u deklarua i pafajshëm.

Në këto rrethana, gjykatësja Branka Semenov e ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen e aktakuzës brenda afatit 30 ditor nga shqyrtimi fillestar.

Gjykatësja ka lajmëruar se lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat do të vendosë jashtë seancës dëgjimore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 8 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj Afrim Feratit, me arsyetimin se gjatë muajit korrik të vitit 2018, në Mitrovicë, i pandehuri kishte ndryshuar dokumentet origjinale me qëllim të shfrytëzimit origjinal, ashtu që me automjetin e pasagjerëve të tipit “Mercedes – Benz”, e kishte shitur te i dëmtuari Skender Behrami ,për çka kishin përpiluan kontratën mbi shitblerjen më 2 gusht 2018 dhe pas skadimit të afatit të regjistrimit, i dëmtuari Skender kishte parashtruar kërkesën për të regjistruar të njëjtën, andaj me rast të regjistrimit ishte dashur ta bëjë atestimin e automjetit.

Siç thuhet në aktakuzë, kishte shkuar në “Euro Lab – QAK”, ku zyrtaret e QAK-së kishin konstatuar së në automjet ishin bërë disa ndryshime dhe nuk ishin arritur marrëveshje për kryerjen e atestimit të automjetit, ku pas ekzaminimit ishte konfirmuar se automjeti është i falsifikuar dhe përkatësisht në bazë të konstatimit dhe mendimit të ekspertit në këtë automjet ishte saldua pllaka metalike, në të cilën ishte shtyp dhe aty ishte parë edhe pika e saldimit.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398, paragrafi 2 lidhur më paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi