Në Gjykatën e Malishevës dështuan pesë seanca në çështjet civile, asnjë në penale

Gjykata e Malishevës
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Janar 10, 2019

Malishevë – Si pasojë e mungesës së avokatëve, edhe të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, kanë dështuar të mbahen pesë seanca gjyqësore dhe atë vetëm në divizionin civil.

Numrin e këtyre seancave që ishin të parapara të mbaheshin këtë të enjte, e që dështuan, për “Betimi për Drejtësi” e kanë konfirmuar gjykatësit Haki Kryeziu dhe Nehat Qelaj.

Gjykatësi Haki kryeziu, për “Betimi për Drejtësi” tha se të enjten, kishte të paraparë tri seanca në çështje civile, por që avokatët e autorizuar duke respektuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës, nuk kishin marr pjesë në seancë.

Ndërsa, edhe gjykatësi tjetër, Nehat Qelaj, ka konfirmuar se dy seanca në çështje civile të parapara për të enjten kanë dështuar, për mungesë të avokatëve përfaqësues.

Kurse, në divizionin penal përsëri nuk ka dështuar asnjë seancë për mungesë të avokatëve, dhe këtë e ka konfirmuar gjykatësi i çështjeve penale Lulzim Paçarizi, për të cilat raste gjatë së enjtes ka raportuar edhe “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky dështim  i seancave gjyqësore ka ardhur si pasojë e vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku thuhet se do të bojkotohen të gjitha seancat gjyqësore, nëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nuk tërheq rekomandimin në lidhje me kufizimin e avokatëve në qasjen e tyre nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës.