Në Gjykatën e Ferizajt nis rigjykimi ndaj inspektorit të ndërtimit në Shtime

IMG_9720
Author

Raporton: Denisa JASHARI

Nëntor 19, 2020

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka nisur rigjykimi ndaj inspektorit të ndërtimit në Komunën e Shtimes, Taulant Salihaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e së enjtes është dhënë fjala hyrëse nga prokurori Veton Shabani dhe avokati Gazmend Halilaj, mbrojtës i të akuzuarit Salihaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Shabani ka deklaruar se gjatë fazës së hetimeve janë grumbulluar prova të mjaftueshme dhe se pas administrimit të të gjitha këtyre provave, do të vërtetohet në mënyrë të plotë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ndërsa, avokati Halilaj e ka kundërshtuar në tërësi aktakuzën e prokurorit, pasi tha se nga fillimi i procedurës me asnjë provë nuk ishte vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon akuza.

Sipas Halilajt, edhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit ka konsideruar se nuk ka prova me të cilat është vërtetuar fajësia e të akuzuarit.

Prezent në seancën e së enjtes ishte edhe i dëmtuari Haxhi Shabani, ndërsa ka munguar dëshmitarja Elfete Shabani, e cila pritet që të dëgjohet në seancën e radhës.

Gjykatësi Ibrahim Idrizi e ka caktuar seancën e radhës për 14 dhjetor 2020, në ora 9:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj, më 26 nëntor 2019, e kishte dënuar me një vit burgim, inspektorin e ndërtimit në Shtime, Taulant Salihaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuari ishte i obliguar gjithashtu t’ia kthejë të dëmtuarit shumën prej 1,058 euro, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro si dhe shumën 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

E pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i ashpër, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij.

Më pas, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që çështja të kthehej në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2019, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i pandehuri Taulant Salihaj akuzohet se në shtator të vitit 2017 dhe në prill të vitit 2018, në cilësi të personit zyrtar, si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes, me qëllim të përfitimit të pasurisë së kundërligjshme, kishte shfrytëzuar detyrën e tij dhe kishte tejkaluar kompetencat zyrtare, në atë mënyrë që nga i dëmtuari, Haxhi Shabani, fillimisht kishte marrë shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë, si dhe 580 euro për përpilimin e shtëpisë së dytë, me qëllim që t’ia rregullonte dokumentet ndërtimore.

Siç thuhet në aktakuzë, edhe pse detyra e tij kishte qenë që t’i ndalonte ndërtimet pa leje, ai kishte lejuar të dëmtuarin Shabani që t’i ndërtojë dy shtëpitë pa e pajisur me leje.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi