Në fjalën përfundimtare prokuroria kërkon dënimin e referentes së akuzuar për korrupsion dhe dy të tjerëve

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë – Prokurorja Dulina Hamiti në fjalën përfundimtare të dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kërkuar dënimin referentes së suspenduar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë, Natasha Maksimoviq  për keqpërdorim të pozitës, si dhe ndaj të akuzuarve Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë.

Kurse në seancën e së premtes, të akuzuarit Maksimoviq, Mehmeti dhe  Lleshaj, fjalët përfundimtare ia kanë dorëzuar me shkrim gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Dulina Hamiti fjalën përfundimtare ia ka dorëzuar gjykatës me shkrim dhe të njëjtën më pas e ka elaboruar.

Prokurorja Hamiti ka thënë se nga administrimi i provave dhe dëshmive gjatë shqyrtimeve gjyqësore është vërtetuar se të akuzuarit  kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Se të akuzuarit kanë kryer veprën penale, sipas prokurores Hamiti kjo vërtetohet edhe nga provat që prokuroria i ka propozuar në aktakuzë dhe të cilat janë administruar në gjykatë si dhe deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në gjykatë .

Andaj, e njëjta gjykatës i ka propozuar që të akuzuarit të i shpall fajtor dhe të i dënojë sipas ligjit.

Po ashtu e njëjta i ka propozuar gjykatës gjithë gjitha veprimet  e kundërligjshme të anulohen dhe atë autorizimi i falsifikuar dhe kontratën për shitblerje e vërtetuar më 5 shtator 2012.

Përfaqësuesja e të dëmtuarve Tomislav dhe Bozhidar Arsiq, avokates Jovana Filipoviq në fjalën përfundimtare deklaroi se të dëmtuarit i mbështesim të cekurat në aktakuzë për shkak të tjetërsimit të kundërligjshëm të palujtëshmërisë, e cila gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Gjatë procedurës padyshim janë vërtetuar disa fakte, Tomislav dhe Bozhidar Arsiq  asnjëherë nuk kanë qenë prezent Gjykatën Themelore Prishtiën, Dega Graqanicë për vërtetimin e autorizmiit komtestues  me datë 16 gusht 2012.

Sipas saj letërnjoftimet me të cilat është vërtetuar ky autorizim, nuk i takojnë këtyre të dëmtuarave,  por të njëjtit gabimisht janë shënuar numrat e letërnjoftimeve dhe identifikues po ashtu janë paraqitur fotografitë e gabuar të cilët nuk i përshtaten të dëmtarëve.

Po ashtu, ajo i ka propozuar që deklaratat kontradiktore të akuzuarve Mehmeti dhe Maksimoviq  të i interpretoj në pajtim me ligjin..

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 7 qershor.

Ndryshe në fillim të seancës kryetarja trupit gjykues ka njoftuar se për të dëmtuarin Bozhidar Arsiq ka pranuar një email zyrtare nga qendra e paraburgimit dhe njësia e transportit, në të cilën thuhet se pas shumë përpjekjeve për të proceduar në seancën e kërkuar  për seancën e së premtes, mirëpo  e kanë  të pamundur  të realizojnë kërkesën.

Po ashtu në këtë seancë kanë munguar,  avokatët Teuta Qaush dhe Afrim Salihu, por mbrojtësit  tyre të akuzuarve  Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj arsyetuan mungesën e tyre  si dhe  kanë pranuar që të vazhdohet seanca pa praninë e tyre.

Ndërsa, pasi që mbrojtësja e të akuzuarës Natasha Maksimoviq, avokatja  Drita Rexhepi për shkaqe subjektive dhe objektive e revokoj autorizimin e cila gjendet në  shkresat e lëndës, në atë mënyrë që nuk do të jetë pjesë  e këtij procesi gjyqësor në këtë çështje penale.

Lidhur me këtë e akuzuara Maksimoviq deklaroj se do ta paraqes mbrojtjen  personalisht dhe nuk do të angazhoj avokat tjetër.

Pas kësaj, gjykatësja Fatime Dermaku ka konstatuar se shqyrtimi gjyqësor në këtë rast fillon rishtaz, për shkak të ndërrimit të njërit anëtare të trupit gjykues  .

Me pajtim të palëve në procedurë u konsideruan të administruara dhe të lexuara procesverbalet e seancave të mëparshme.

Më pas seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Arben Vatovci , i cili fillimisht ka thënë se Ismet Mehmetin e ka dhëndër, përkatësisht që çika e axhës së tij është  e martuar për të, ndërsa me dy të akuzuarit të tjerë nuk është në raporte farefisnore.

I pyetur nga përfaqësuesja e së të dëmtuarve Tomislav dhe Bozhidar Arsiq, avokates Jovana Filipoviq, se a është nënshkrimi i tij në regjistrin origjinal të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë me të cilin është vërtetuar autorizimi kritik, dëshmitari Vatoci deklaroi se ai është nënshkrimi i tij.

Gjithashtu i pyetur nga avokatja Filipoviq se a i njihini personat Tomislav dhe Bozhidar Arsiq, ai tha që jo nuk i njeh.

Ai ka përshkruar të tërë ngjarjen se si ka shkuar si dëshmitar për një pronë në Graçanicë .

“Atë ditë kena qenë në Prishtinë me një djalë të axhës të ndjerë, H.V dhe kemi pas takim rasti me Ismetin. Gjatë kohës sa kemi qenë duke pi kafe në Prishtinë ka ardhur një telefonatë te Ismeti, ka thënë Ismeti po më thirri do për një pronë edhe po më duhen dy dëshmitarë. Jena shku unë, djali i mixhës H.V me Ismetin edhe jemi takuar në Graçnicë afër një shtëpi. Saktësisht, mendoj që kanë qenë 4,  3 janë kon ma vjetër , 1 i ri gjeneratë e jona”, ka thënë Vatovci

Ai ka thënë se janë taku afër gjykatës dhe më pas kanë hyrë tre persona brenda gjykatës.

“Kemi mbetur 4 veta jashtë gjykatës me Ismetin, djali axhës tem dhe me atë që ka qenë më i ri, që kanë pas me bë marrëveshje këta, pas 10-15 minuta kanë dalë Ismeti ka shku me personin në fjalë në një lokal me personin më i ri kanë prit deri sa kanë dal ata 3 dhe me to kanë shku dikun, njëri që ka ditë shqip ka hy me mu edhe me djalin e axhës tem brenda gjykatës, kena nejt katin e parë, nëse nuk gaboj, dhe kena prit një kohë caktuar deri sa kena hi në një dhomë, edhe si dëshmitarë shitblerjes pronës i kena jep nëshkrimin vendin e caktuar jena dal nga aty dhe kena shku kena pi në Graçanicë të gjithë bashkë, të knaqun dhe kena vazhdu në Mitrovicë unë dhe djali e axhës”, tha ai.

I pyetur se a ka njohuri se çfarë ka nënshkruar atë ditë dëshmitari tha se askush nuk i ka lexuar dhe se serbishten nuk e njoh fort mirë, por pastaj tha se i është lexuar dhe se definitivisht ka qenë shitblerje dhe se ka pyetur edhe një herë se për çka bëhet fjalë i kanë thënë shitblerje, duke shkuar se mendon që është shitblerje.

Tutje tha se nënshkrimin e ka dhënë i dyti, si dhe se prezent ka qenë edhe personi që ka ditur shqip palës që ka bërë shitjen duke shtuar se sa i kishte parë ata kanë qenë të kënaqur.

Ai ka thënë se nuk ju ka treguar askush letërnjoftimet e palës shitëse, por sa më kujtohet janë bë kopje por që nuk është i sigurt pasi që ka kaluar periudhë e gjatë.

Pas që nga avokatja Filipoviq iu ofrua në shikim dëshmitarit Vatovci  katër kopje të letërnjoftimeve me katër fotografi të ndryshme, i njëjti tha se në këtë gjendje që janë edhe po të ishte fotografia e tij ka mundësi që nuk do të kishte njohur, për shkak se fotokopje është e dobët, si dhe se kanë kaluar shumë vjet dhe nuk i kujtohet saktë.

Në fund, dëshmitari  lidhur me 4-5 peronat që i ka përmendur gjatë deklaratës  deklaroi se rastësisht ka qëlluar aty dhe se kur në jetë nuk i kishte takuar.

Gjatë seancës, gjyqtarja ka njoftuar se kanë pranuar nga Qendra e Regjistrit Civil, të cilët e kanë konfirmuar që H.V është i vdekur, po ashtu një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe dëshmitari Vatovci  gjatë dëshmisë së tij.

Ndryshe ky rast arrin parashkrimin absolut të ndjekjes penale në gusht të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 gusht 2018, Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanic, dhe më 16 gusht 2012, kishte paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq. Paluajtshmria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, kishin hartuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmëris së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq, ashtu që të akuzuarit e kishin vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Në aktakuzë thuhet se ata e kishin vërtetuar kontratën në fjalë, me vlerë prej 9 mijë e 500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas, i akuzuari Lleshaj, më 7 shtator 2012, kishte paraqitur kërkesë për bartjen e kësaj paluajtshmërisë në emër të tij, duke vënë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe kishte arritur të bëj bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij.

Me këto veprime të tyre, Mehmeti dhe Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës, e ngarkon Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9 mijë e 500 euro mbi shitblerjen e papajtueshmërisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq.

Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, ngarkohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë