Në fjalën përfundimtare, pala paditëse thotë se është vërtetuar baza e kërkesëpadisë për kompensim dëmi prej 175 mijë euro

Raporton: Alban Mehmetaj

Istog – Në Gjykatën Themelor në Pejë, dega në Istog, i autorizuari i paditëses Vjollca Osmanaj, avokati Haxhë Nikçi në fjalën përfundimtare ka thënë se është vërtetuar në tërësi baza juridike e kërkesëpadisë, në kontestin ku e lartcekura po kërkon kompensim dëmi prej 175 mijë euro nga e paditura Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS).

Avokati Nikçi, kërkoi nga gjykata që padinë dhe kërkesën e saj në vështrim me parashtresën mbi precizimin e së njëjtës, t’i miratojë në tërësi si të bazuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, e autorizuara e paditurës BKS, Mimoza Kllokoqi ka deklaruar se e paditura me qëllim të përmbylljes së lëndës me pajtim gjyqësor, i ka ofruar paditëses shumën prej 30 mijë euro, duke kërkuar nga ana e gjykatës që shumat e kërkuara mbi shumën prej 30 mijë euro t’i refuzojë si të pabazuara.

Pas kësaj, gjykatësi Shemsedin Haxhijaj e shpalli të përfunduar këtë çështje juridiko-kontestimore.

Ndryshe, në padinë e ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, më 28 gusht 2019, thuhet se paditësja Vjollca Osmanaj si pasojë e aksidentit të 16 marsit 2019 kishte pësuar lëndime të shumëfishta të rënda trupore, për çka e njëjta menjëherë ishte dërguar në spital.

Sipas padisë, deri tek aksidenti kishe ardhur me lëshimet e drejtueses së veturës, Alma Januzi, e cila nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së qarkullimit me kushtet e rrugës, ka kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes, duke e goditur veturën të cilën ka qenë duke e vozirue paditësja Osmanaj.

Tutje sipas padisë dhe parashtresës mbi precizimin e saj, vetura që ka qenë shkaktare në këtë aksident, në momentin e aksidentit nuk kishte mbulesë sigurie, andaj në këto rrethana paditësja po kërkon nga ana e gjykatës që të detyrohet e paditura BKS që asaj t’ia kompensojë dëmin jomaterial në shumën prej 175 mijë euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë