Në fjalën përfundimtare, paditësja kërkon t’i njihet e drejta në pension për persona me aftësi të kufizuara

Raporton: Elsa KOLLQAKU

PrishtinëPaditësja N.G, përmes avokatit të saj Avni Gashi, edhe në fjalën përfundimare kërkoi nga e paditura, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), t’i  njihet e drejta në pension si person me aftësi të kufizua.

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, u trajtuan pretendimet e palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, Avni Gashi, deklaroi se mbetet në tërësi prapa padisë dhe i propozoi gjykatës që e njëjta të aprovohet.

“Sa i përket shumës së pensionit në gjykimin e parë kam bashkëngjitur një tabelë, në bazë të cilës paditësja ishte dashur ta gëzonte këtë lloj pensioni, mbi bazën e atyre shumave kërkoj që të aprovohet padia”, tha Gashi.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së paditur, avokat Muharrem Kurtaj, deklaroi se e kundërshton në tërësi kërkesëpadinë dhe padinë si të pabazuar, sipas tij komisioni mjekësor i të paditurës ka bërë vlerësim profesional duke u mbështetur në dispozitat ligjore.

Tutje, gjykatësja e rastit, Arjeta Sadiku bëri administrimin e provave dhe konstatoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Në fjalën e tij përfundimtare, Gashi, kërkoi që të aprovohet padia në tërësi si e bazuar, ndërsa avokati Kurtaj kërkoi nga gjykata që padia të refuzohet.

Ndryshe, më 19 qershor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte aprovuar kërkesëpadinë e paditëses dhe kishte anuluar vendimin MPMS-së.

Kundër këtij aktgjykimi kishe parashtruar ankesë e paditura, me arsyetimin se aktgjykimi përmbante shkelje te dispozitave ligjore dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit më 23 korrik 2021, kishte aprovuar ankesën e të paditurës – MPMS dhe kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Sipas padisë së ushtruar më 17 gusht 2016, paditësja N.G po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale-Departamenti i Administratës Pensionale në Prishtinë, me të cilin i është refuzuar ankesa për njohjen e të drejtës në pension për persona me aftësi të kufizuara.

Sipas vendimit, Komisioni Mjekësor ka konstatuar se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të qenë përzgjedhës i pensionit me aftësi të kufizuar.

Paditësja pretendon se Këshilli i Ankesave nuk e ka vlerësuar drejt gjendjen e saj, ngase në të gjitha dokumentet mjekësore që gjenden në shkresat e lëndës e dëshmojnë se tek ajo është prezente aftësia e kufizuar e plotë dhe e përhershme. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë