Në fjalën përfundimtare, paditësja kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kthimin e 2 mijë eurove

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Përfaqësuesi i paditëses “Klinika Gjermane e Syrit”, avokati Gent Spahiu pasi bëri precizimin e kërkesëpadisë sa i përket petitumit të saj, kërkoi nga e paditura, Ministria e Shëndetësisë t’ia kthejë shumën prej 2 mijë euro.

Avokati Spahiu e tha këtë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ku ka përfunduar konflikti administrativ në rastin ku Klinika Gjermane e Syrit ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me vendimin e lëshuar nga ky organ, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmes vendimit, është refuzuar si e pabazuar ankesa e paditësit dhe i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore mjekut – shtetas i huaj Dr.Sharioth Gabor, i cili ofron shërbime në Klinikën Gjermane të Syrit, me arsyetimin se i njëjti nuk ka licencë për të punuar.

Sipas këtij vendimi, Gabor është dënuar me 2 mijë euro, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore.

Lidhur me këtë, përfaqësuesi i paditësit avokati Gent Spahiu ka deklaruar se mbesin pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe se vendimet kontestuese të së paditurës duhet të anulohet, pasi sipas tij janë të kundërligjshme, duke e vërtetuar gabimisht gjendjen faktike.

“Konstatimi i të paditurës se Dr. Sharioth Gabor në kuadër të Klinikës Gjermane ka ofruar shërbime shëndetësore pa leje nuk qëndron, për shkak se i njëjti ka qenë i pajisur me leje të punës nga Ministria e Shëndetësisë”, tha avokati Spahiu.

Ai u shpreh i habitur se si institucioni që të njëjtit ia lëshoi lejen e punës, më pas ia konteston.

“Është e çuditshme si një institucion lëshon leje pune dhe më pas po i njëjti institucion e konteston lejen e punës të cilën e ka lëshuar vetë”, shtoi Spahiu.

Tutje, Spahiu njoftoi gjykatën se mjeku në fjalë ka qenë i pajisur me leje të punës në periudhë njëvjeçare dhe një muaj para skadimit të lejes, e paditura ka nxjerr vendimin.

“Ju njoftojmë se i njëjti ka qenë i pajisur me leje të punës njëvjeçare me anë të vendimit, nga data 3 maj 2017 deri më 3 maj 2018, ndërsa e paditura e ka nxjerrë vendimin më 16 prill 2018, që do të thotë një muaj para skadimit të lejes së punës”, tha ai.

Spahiu në këtë shqyrtim gjyqësor, paraprakisht bëri precizimin e kërkesëpadisë sa i përket petitumit të saj, duke kërkuar që e paditura t’ia kthejë shumën prej 2 mijë euro se bashku me kamatë në lartësi 8%, në afat prej 15 ditësh.

Pas administrimit të provave gjykatësja e rastit, Vjollca Limani, konstatoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Në fjalën përfundimtare, avokati Spahiu kërkoi nga gjykata që pas administrimit të provave të bie aktgjykim ashtu si në petitumin e padisë dhe precizimin i cili u bë në ditën e sotme.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës nuk ishte prezente pala e paditur, sipas gjykatëses Limani e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Sipas padisë së ushtruar më 25 qershor 2018, paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë – Inspektorati Shëndetësorë  i Kosovës, me të cilin i është refuzuar si e pabazuar ankesa dhe i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore Dr. Sharioth Gabor.

Paditësi pretendon se vendimi përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale, gjendja faktike nuk është konstatuar në mënyrë të plotë dhe jo faktike dhe për arsye të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.

Në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se ankesa është refuzuar me arsyetimin se mjeku shtetas i huaj ushtron veprimtari shëndetësore pa qenë i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë