Në fjalën përfundimtare, paditësi kërkon t’i njihet e drejta për kujdestar përcjellës

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Në fjalën përfundimtare, paditësi N.F, përmes përfaqësuesit të saj, avokatit Bajram Zogiani, kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Departamentit i Pensioneve në kuadër të MPMS-së, me vendim, kishte refuzuar ankesën e paditësit për njohjen e të drejtës së përcjellësit për persona paraplegjik dhe tetraplegjik të grupit të parë, me arsyetimin se paditësi bën pjesë në grupin e dytë.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të martën, përfaqësuesi i paditësit, avokati Bajram Zogiani deklaroi se mbesin pranë padisë dhe kërkesëpadisë, sipas tij paditësi duhet të gezojë këtë të drejtë.

“Paditësi është person me të meta fizike por edhe psiqike, gjegjësisht person paraplegjik dhe tetraplegjik, i njëjti është vërtetuar sipas raportit mjekësor nga klinika e neurologjisë në QKUK, i njëjti është operuar që nga fëmijëria dhe janë të vendosura shufra të hekurta në boshtin kurrizor të tij”, tha avokati Zogjani.

Pas administrimit të provave, gjykatësi i rastit Kreshnik Kaçiu deklaroi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Avokati Zogiani në fjalën e tij përfundimtare kërkoi nga gjykata që në bazë të provave të nxjerrë aktgjykim me të cilin aprovohet padia dhe paditësit t’i njihet e drejta për kujdestar përcjellës.

Ndryshe në këtë seancë nuk ishte prezent pala e paditur, sipas gjykatësit Kaçiu të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Sipas padisë së ushtruar më 3 maj 2019, paditësi N.F ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin i është refuzuar ankesa e paditësit për njohjen e të drejtës së përcjellësit për persona paraplegjik dhe tetraplegjik.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se pas shqyrtimit të ankesës dhe shkresave në lëndë, pretendimeve ankimore, provave materiale mjekësore të bashkëngjitura është konstatuar se ankesa e paditësit nuk është në harmoni me pikën 1 të nenit 8 të Ligjit nr.05/L-067.

Paditësi me padi kërkon anulimin e këtij vendimi, me arsyetimin se është i kundërligjshëm. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë