Në fjalën përfundimtare, paditësi kërkon kthimin e mjeteve mbi 35 mijë euro dhe anulimin e vendimit të ATK-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë- Përfaqësuesi i paditësit-subjekti juridik “Trokadero” SH.P.K, Nexhmedin Ahmeti kërkoi nga gjykata që të aprovohet padia dhe t’i kthehen mjetet paditëses, në shumën prej 35 mijë e 360 euro e 5 centë dhe të anulohet vendimi i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Këto deklarime, Ahmeti i bëri në seancën e së mërkurës, ku përfundoi gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi-subjekti juridik “Trokadero” SH.P.K, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të ATK-së.

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit NTP “Albi Moni”, të cilën ankesë, ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i paditësit, Nexhmedin Ahmeti ka deklaruar se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së parashtruar pranë gjykatës, duke konsideruar se vendimi i ATK-së është marrë në shkelje të dispozitave materiale dhe procedurale.

Ai ka thënë se blerësi i “FM Holding Group” në rastin konkret mallrat i ka blerë nga këtu paditësi dhe të njëjtat ua ka shitur personave juridik dhe me këtë në asnjë rast nuk ka bërë ndërprerje të zinxhirit, lidhur me pagesën e tatimeve.

Tutje, Ahmeti kërkoi nga gjykata që të aprovohet padia dhe të bëhet kthimi i mjeteve në shumën prej 35 mijë e 360 euro e 5 centë, që përfshin tatimin shtesë, interesin dhe ndëshkimin, pagesa të cilat sipas tij janë realizuar, ngase kanë lidhur marrëveshje me ATK-në.

Pas kësaj, gjykatësi Fisnik Nuli ka administruar provat materiale si dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku përfaqësuesi i paditësit, Ahmeti, tha se qëndrojnë prapa padisë dhe kërkesëpadisë si dhe të thënave gjatë seancës se sotme.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishte prezent pala e paditur, për të cilën gjykatësi Nuli deklaroi se e njëjta e ka njoftuar me parashtresë se nuk do të marrë pjesë në seancë.

Sipas padisë së ushtruar më 9 tetor 2019, “Trokadero” SH.P.K ka paditur ATK-në, me pretendimet për konstatimin e gabuar të gjendjes faktike.

Paditësi ishte ngarkuar me tatim shtesë në vlerë bazë prej 25 mijë e 658 euro e 12 centë dhe 8 mijë e 59 euro e 12 centë gjobë.

Në vendimin e ATK-së thuhet se tatimi shtesë ka ardhur ngase tatimpaguesi me rastin e shitjeve të produkteve, çmimet e artikujve të shitur për subjektin “FM Holding Group” janë më të vogla se për subjektet tjera dhe duke u bazuar në ligjin e TVSH-së.

Sipas vendimit, ndryshimet janë paraqitur si shitje shtesë bazuar në analizën që është bërë nga kontrolli dhe ka ardhur në përfundim se tatimpaguesi ka shitur nën çmimin e kostos. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë