Ish-zyrtari i Prizrenit thotë se nuk e ka shkelur ligjin për kontratën me “TV Opinion”

Author

Raporton: Floridin Osmanaj

Shtator 13, 2021

Prizren- Edhe në fjalën përfundimtare, ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, Nijazi Kryeziu deklaroi se është i pafajshëm dhe se nuk e ka shkelur asnjë ligj.

Këtë deklarim, Kryeziu e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin për korrupsion.

Kryeziu ngarkohet se gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me televizionin lokal, TV Opinion”, për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se mbetet pranë aktakuzës së precizuar në shqyrtimet gjyqësore dhe shtoi se përmes provave të cilat janë administruar në këtë shqyrtim gjyqësor siç janë kontratat e lidhura me televizionet lokale, pastaj shumat e pagesave të cilat janë nënshkruar edhe nga i akuzuari Nijazi do të vërtetohet se i akuzuari ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Ai shtoi se Drejtoria e Urbanizmit ka lidhur kontrata duke anashkaluar zyrën e prokurimt publik ku edhe ka dhënë dëshmi Isa Osmanakaj – menaxher i zyrës së prokurimit, i cili ka theksuar se çdo operator që lidh kontratë në shumën mbi 1 mijë euro nënkuptohet se ka bërë shkelje të rregullave të prokurimit.

Në fund, prokurori deklaroi se në bazë të këtyre, vërtetohet se formohen elemente të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, ku i akuzuari Kryeziu e ka keqpërdorur këtë pozitë me qëllim të përfitimit për vete apo personat e tjerë.

Sipas prokurorit Sefa, i akuzuari vazhdimisht thirret se ka gjetur kështu praktika të pagesave, dhe theksoi se prokuroria nuk është e pajtimit që të vazhdohet praktika ku ka shkelje të ligjit dhe se mosnjohja e ligjit nuk arsyeton.

Në fund kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin Nijazi Kryeziu ta shpall fajtor dhe ta dënojë në pajtim me ligjin.

Fjalën përfundimtare të prokurorit e mbështeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Komunës së Prizrenit, avokat Blerim Mazreku dhe deklaroi se Komuna është e dëmtuar në këtë rast dhe se lidhur me kërkesën pasurore juridike do të iniciojnë procedurë kontestimore, pasi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe aktgjykimi të merr formën e prerë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, avokat Kadri Mjekiqi fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe gojarisht deklaroi se i akuzuari Nijazi kishte vazhduar praktikën e njëjtë sikurse e ka gjetur më herët dhe se si e tillë nga askush kontrata për emetimet e spoteve televizive nuk është thënë se ka qënë e kundërligjshme.

Avokati Mjekiqi tha se tek i akuzuari Nijazi nuk ka ekzistuar dashja për të kryer këtë vepër penale.

Ndërsa i akuzuari Nijazi Kryeziu, deklaroi se është i pafajshëm dhe mbështeti fjalën përfundimtae të mbrojtësit të tij dhe se sipas tij, kjo aktakuzë është ngrit pa prova fajësuese dhe se nuk ka shkelur asnjë ligj.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi gjykimin e ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 shtator 2021.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ngarkon Nijazi Kryeziu se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, “TV Opinion”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore  janar-dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Opinion”, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7 mijë e 200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.