Në fjalën përfundimtare, BKS kërkon rimbursim dëmi mbi 1 mijë euro për aksidentin e 2013-ës

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Paditësja Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) në fjalën përfundimtare ka kërkuar që i padituri Gazmend Ferizi t’ia rimbursojë dëmin në vlerë 1 mijë e 230 euro për aksidentin e 2013-ës. Ndërsa, i padituri Ferizi mungoi pa arsye në këtë seancë.

Gjyqtarja e çështjes, Afërdita Mulhaxha, bëri të ditur se nga fletëkthesa rezulton se i padituri ka marrë njoftimin dhe ftesën, por mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Pas kësaj, seanca e së mërkurës, u mbajt në mungesë të paditurit Gazmend Ferizi.

Përfaqësuesja e paditëses BKS, Orgeta Qerimi, deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj, se i padituri aksidentin e ka shkaktuar më 2 tetor 2013 dhe ka qenë pa patentë shofer, pa sigurim dhe pa letërnjoftim, kështu që ata si paditës kanë qenë të detyruar që të mbulojnë dëmin e shkaktuar të dëmtuarit Alban Jahaj.

Tutje, ajo deklaroi se procedura administrative është kryer në tërësi, të dëmtuarit i është bërë kompensimi dhe në shkresa janë të gjitha provat që vërtetojnë këto fakte, andaj i propozoi gjykatës që të administrohen provat nga padia.

Pasi që nuk kishte prova të tjera për të propozuar atëherë gjykata e konsideroi të mbyllur procedurën e provave dhe ftoi palën paditëse për fjalën përfundimtare.

E autorizuara e paditëses, Qerimi, në fjalën përfundimtare deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj dhe deklaratave, andaj i propozoi gjykatës që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë, shpenzimet procedurale i kërkoi vetëm për taksë gjyqësore shumën prej 30 euro.

Tutje, gjyqtarja e çështjes Mulhaxha, tha që për vendimin palët do të njoftohen me aktgjykimin në formën e shkuar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar në gusht të 2018-ës, paditësi Byroja Kosovare e Sigurimit po kërkon rimbursimin e dëmit material dhe jo material kundër të paditurit Gazmend Ferizi dhe në vlerë prej 1 mijë e 230 euro.

Sipas padisë, i padituri më 2 tetor 2013, në Pejë, ka shkaktuar aksident trafiku me automjet dhe deri te aksidenti kishte ardhur kur automjeti ‘’A’’, të cilin e drejtonte Gazmend Ferizi, nga pakujdesia i shkakton dëme të dëmtuarit Alban Jahaj.

Për këtë, paditësi po kërkon t’i miratohet kërkesëpadia e paditësit dhe të detyron të paditurin Gazmend Ferizi që paditësit t’ia rimbursojë shumën prej 1 mijë e 230 euro, për shkak të aksidentit të trafikut. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë