Në bankën e të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve zyrtari i gjendjes civile dhe një qytetar

Raporton: Valdet HAJDINI

Vushtrri – Para kryetarit të trupit gjykues Beqir Halili është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Nezir Aliu, i akuzuar për ‘keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘falsifikim i dokumentit zyrtar’, si dhe i akuzuari Ljubisha Mirkoviq për veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’.

Në seancën e së hënës prokurori Ismet Ujkani e arsyetoi ngritjen e aktakuzës, duke deklaruar se me provat e propozuara në aktakuzë do të vërtetohet kryerja e veprave penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nezir Aliu, avokati Gani Rexha deklaroi se të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë i mbrojturi i tij kanë qenë mbi baza ligjore dhe nuk ka pasur dashje për veprime të kundërligjshme. “Të gjitha veprimet i ka marr në lajthim, sepse i është prezantuar një akt-noterial i falsifikuar dhe të gjitha veprimet i ka ndërmarrë mbi baza ligjore” tha avokati Rexha.

I akuzuari Ljubisha Mirkoviq deklaroi se nuk ka pasur dijeni që dokumentet e prezantuara janë të falsifikuara. “Unë vetëm i kam kryer një shërbim një mikut tim, por nuk kam qenë në dijeni se dokumentet janë të falsifikuara” tha i akuzuari Mirkoviq.

Gjatë leximit të provave, kryetarit të trupit gjykues prezantoi një përgjigje të noterit Xhevat Veseli, i cili mohon të ketë lëshuar dokumentin i cili është prezantuar nga i akuzuari Ljubisha Mirkoviq, në bazë të cilit ka vepruar i akuzuari tjetër Nezir Aliu.

Në mbrojtjen e vet, i akuzuari Nezir Aliu deklaroi se punët i ka kryer në bazë të detyrës zyrtare, pas prezantimit të autorizimit të noterizuar nga i akuzuari tjetër Ljubisha Mirkoviq. “Unë nuk e kam ditur se ai autorizim është i falsifikuar, sepse i njëjti tek unë ka ardhur në origjinal” tha i akuzuari Aliu.

I akuzuari Ljubisha Mirkoviq, në mbrojtjen e vet deklaroi se dokumentet i ka pranuar nga një mik i tij i nacionalitetit boshnjak. “Ai i ka rregulluar të gjitha dokumentet, certifikatën e lindjes nga Kraleva dhe autorizimin te noteri, ndërsa unë vetëm i kam dorëzuar tek Neziri” tha i akuzuari Mirkoviq.

Në pyetjen e prokurorit Ismet Ujkani nëse e kishte lexuar autorizimin, i akuzuari Mirkoviq tha se nuk i din gjuhën shqipe, andaj edhe nuk e kishte lexuar fare autorizimin.

Prokuroi i rastit Ismet Ujkani ë fjalën përfundimtare deklaroi se nga provat e administruara është vërtetuar se të pandehurit me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale si në aktakuzë. “I akuzuari Nezir Aliu ka lëshuar dokumente personale për personin i cili është i kërkuar nga Interpol Athinë, për vepra penale, e në kundërshtim me detyrën zyrtare” tha prokurori Ujkani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nezir Aliu, avokati Gani Rexha, në fjalën përfundimtare deklaroi se prokurori nuk e ka vërtetuar elementet qenësor për veprime penale, dashjen dhe përfitimin material nga i akuzuari. “Meqenëse i mbrojturi im ka qenë në lajthim dhe nuk është vërtetuar përfitimi material për vete apo personin tjetër, duhet të përjashtohet përgjegjësia penale” tha avokati Rexha.

I akuzuari Ljubisha Mirkoviq në fjalën përfundimtare deklaroi se nuk është fajtor për faktin se nuk ka qenë i vetëdijshëm për dokumentin e falsifikuar.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me 04 tetor 2016, me fillim prej orës 9.30.

Ky gjykimin zhvillohej ndaj të akuzuarit Nezir Aliu dhe Ljubisha Mirkoviq. Sipas prokurorisë Nezir Aliu, si zyrtar i gjendjes civile në fshatin Bistricë, Komuna e Leposaviqit, me qëllim të përfitimit për Klement Cala, e ka regjistruar në regjistrin zyrtar të lindjeve me shënime personale të Admir Koca dhe Semir Koca. Këto veprime i ka kryer në kundërshtim me rregullativën ligjore, duke shënuar të dhëna të rreme, më çka i ka mundësuar Klement Cala pajisje me letërnjoftim dhe pasaportë në emër të Semir Koca. Ndryshe, i akuzuari Ljubisha Mirkoviq akuzohet se ka përpiluar dokumente të falsifikuara, aktin noterial të noterit Xhevat Veseli, të cilat i ka prezantuar në Zyrën e Regjistrimit Civil në fshatin Bistricë, Komuna e Leposaviqit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë