Ndryshohet aktakuza në rastin ku roja i pyllit akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Bekim Jashari - 20.07.2018
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 20, 2018

Prishtinë – Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Feti Tunuzliu në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka bërë ndryshimin dhe plotësimin e aktakuzës së ngritur ndaj Bekim Jasharit, i cili po akuzohet se në cilësinë e rojës së pyllit në Agjencinë Pyjore të Kosovës ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Këtë gjë, prokurori Tunuzliu e ka bërë pas shqyrtimit të kërkesës për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Ali Latifi, me 13 korrik të këtij viti.

Në aktakuzën e parë të përpiluar nga prokurori Tunuzliu, Jashari akuzohej se kishte kryer veprime korruptive për katër pika të dispozitivit të aktakuzës, për të cilat në çdo dispozitiv ishte akuzuar veç e veç me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa pas ndryshimit dhe plotësimit të kësaj aktakuze, Jashari tashmë akuzohet se ka kryer një vepër të vazhduar penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81, të KPRK-së.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka–Mekaj ka njoftuar palët se për shkak të këtij ndryshimi të aktakuzës, palët kanë të drejtë që edhe një herë të paraqesin kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, në seancën e 18 qershorit të këtij viti, i akuzuari Jashari nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Unë jam absolutisht i pafajshëm, krejt kjo është keqkuptim”, kishte thënë ai.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 14 prill 2015, ndaj Bekim Jasharit me pretendimin se i njëjti në cilësinë e rojës së pyllit në Agjencinë Pyjore të Kosovës kishte kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Jashari duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare me qëllim të përftimit ka keqpërdorur pasurinë e Agjencisë Pyjore të Kosovës, në atë mënyrë që për sasinë 18.60 m katror të druve për taksën e papaguar prej 26 eurosh ka dëmtuar agjencinë për sasinë 13 metër kub.

Jashari thuhet se më 11 qershor 2013 për pyllin privat të Ramadan Imerit ka lëshuar fletë përcjelljen për 5.70 metër katror dru bungu zjarri të njoma me vlerë prej 171 euro, sipas lejes për transportuesin Hevzi Hyseni, me vend ngarkim në Keqekollë, por nuk i ka evidentuar fare këto të dhëna në lejen e cekur për prerjen e druve në pyllin privat, e që nuk i takojnë këtij pylli.

Ai akuzohet se edhe më 24 qershor 2013, në po të njëjtën formë siç është cekur më lartë për pyllin privat të Shaqir Fejzullahut, ka lëshuar fletë përcjelljen për dru bungu zjarri të njoma me vlerë prej 129 euro, por pa i evidentuar në lejen e cekur, duke rënë kështu në kundërshtim me detyrat e tij.

Aktakuza tutje thotë se Jashari më 27 qershor 2013, për pyllin privat të Shaqir Zejnullahut ka lëshuar fletë përcjelljen për dru bungu zjarri të njoma në vlerë prej 129 euro, por nuk i ka evidentuar të njëjtat ne lejen e cekur për prerjen e druve në pyllin privat e që nuk i takojnë atij pylli.

Sipas kësaj, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” .