Ndërron jetë një i paraburgosur në Prizren, dyshohet se është vetëvarur në dritaren e banjës

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prizren – Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se në Qendrën e Paraburgimit Prizren i paraburgosuri me inicialet F.I, ka ndërruar jetë. Ai dyshohet se është vetëvarur në dritaren e banjës së dhomës.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ku ShKK bën të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës ‪14:47, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë.

“Sipas Raportit Mjekësor të Stacionarit, i burgosuri F.I në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore, ngecje ne zhvillim mendor, për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri dhe psikologu.”, thuhet në njoftim.

Tutje, SHKK njofton se lidhur me rastin janë suspenduar zyrtarët përgjegjës, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa kanë filluar hetimet procedurale dhe administrative.

Gjithashtu thuhet se është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar.

“Stafi mjekësor i Stacionarit të Qendres së Paraburgimit Prizren ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë