Ndërpritet procedura në rastin ku paditësja kërkon mbi 60 mijë euro për lokalin e djegur, shkak falimentimi i “Kosova e Re”

Raporton: Premton SADIKU

Prishtinë – Për shkak të falimentimit të Kompanisë së Sigurimeve “Kosova e Re”, të hënën është ndërprerë rigjykimi në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku “Pri Pub & Film City Bar”, po kërkon 63 mijë e 679 euro e 50 centë nga e paditura për shkak të djegies së lokalit të paditëses, pasi që kjo e fundit e ka pasur të kontraktuar sigurimin e pronës tek e paditura.

Gjyqtari Faton Bajrami, njoftoi paditësen se Banka Qendrore e Kosovës, në cilësi të Autoritetit Mbikëqyrës ia ka revokuar licencën të paditurës.

Për shkak se për të paditurën “Kosova e Re” nuk ishte prezent asnjë përfaqësues, seanca e sotme u mbajt me propozimin e paditëses, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditëses, avokati Ali Kryeziu, deklaroi se nuk është kontestuese se dëmi i shkaktuar nga zjarri në objektin e paditëses ka ardhur si rezultat i lidhjes së shkurtër me ç’rast është dëmtuar në tërësi objekti i paditëses.

“Në këtë procedurë janë bërë dy ekspertiza dhe në bazë të tyre lartësia e dëmit është llogaritur në shumën prej 63 mijë e 679 euro, por marrë parasysh mbulesën siguruese, ne kërkesën tonë e kemi precizuar në shumën e kontraktuar me policë sigurimi në lartësi prej 55 mijë eurove”, shtoi ai.

Në fund, avokati Kryeziu kërkoi nga gjykata se meqenëse ka filluar procesi i falimentimit të dhunshëm të të paditurës ta obligojë atë që t’ia kompensojë dëmin paditëses në shumën e gjykuar, duke u mbështetur në aktgjykimin e kësaj gjykate lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar 2020, e kishte miratuar si të bazuar padinë e “Pri Pub & Film City Bar”, me ç’rast e paditura ishte detyruar që të paditëses t’ia paguajë mbi 55 mijë euro mbi bazën e sigurimit të pasurisë nga zjarri.

Pas ankesës së të paditurës, Gjykata e Apelit në shkurt 2021, e kishte aprovuar ankesën dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas padisë së ngritur në gusht të vitit 2018, “Pri Pub & Film City Bar” e ka paditur Kompaninë e Sigurimeve “Kosova e Re” me ç’rast kishte kërkuar nga e paditura 63 mijë e 679 euro e 50 centë.

Në padi thuhet se në shkurt të vitit 2018, si rezultat i zjarrit të shkaktuar nga defekti elektrik është djegur në tërësi objekti afarist i paditëses, që ka qenë konstruksion metalik dhe i mbështjellur me dru.

Gjithnjë sipas padisë, pronari i paditëses e ka pasur të kontraktuar sigurimin e pronës mbi bazën e policës së sigurimit me të paditurën dhe mbulesa siguruese ka qenë 55 mijë euro.

Tutje sipas padisë, me gjithë përpjekjet e paditëses për zgjidhjen e çështjes në procedurë jashtëgjyqësore ajo nuk është arritur, për çka është bëre kjo padi për shpërblimin e dëmit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë