Ndalohet për 48 orë i dyshuari se në cilësinë e personit zyrtar zbuloi informacion të klasifikuar dhe cenoi sigurinë e shtetit

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të prokurorit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet M.K., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se arrestimi i të njëjtit erdhi pas një bashkëpunimi ndërmjet AKI-së dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, po ashtu në koordinim edhe me Policinë e Kosovës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, në cilësinë e personit zyrtar, ka vepruar me motive të dyshimta, duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe zbuluar informacion të klasifikuar, andaj me këto veprime dyshohet se personi i lartcekur ka cenuar sigurinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime të tjera procedurale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë