Ndalohet për 48 orë i dyshuari që hapi lokalin dhe shërbeu pije në kundërshtim me vendimin e Qeverisë

Foto-Prokuroria-Themelore-Pejë-1-620x275
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Mars 31, 2020

Istog – Masa e ndalimit prej 48 orëve i është caktuar të dyshuarit që ka hapur lokalin dhe iu ka shërbyer klientëve pije, në kundërshtim me vendimin e marrë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si masë për parandalim të virusit Covid-19.

Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi”, e kanë konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi dhe togeri i Stacionit Policor në Istog, Ramadan Gashi.

“Të hënën në fshatin Gurrakoc të Komunës së Istogut është arrestuar një person pasi që i njëjti si pronar është hasur në lokalin e tij, duke u shërbyer klientëve pije, e krejt këtë në kundërshtim me vendimin e Qeverisë si masë për parandalim të virusit Covid-19”, ka thënë Nikçi

Ndërkaq, togeri i Stacionit Policor në Istog, Ramadan Gashi ka thënë se i arrestuari është ndaluar për 48 orë në mbajtje.

Ndryshe në Komunën e Istogut që nga vendimi i Qeverisë për mbylljen e bizneseve, lokaleve dhe kafiterive, si masë parandaluese për epideminë e koronavirusit, ky është i dyshuari i katërt që është ndaluar në lidhje me moszbatimin e këtij vendimi.

Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, e sanksionuar me burgim deri në 2 vite.

Në nenin 250 të KPRK-së thuhet se: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”. /BetimipërDrejtësi