Ndalohet edhe një i dyshuar në rastin “Brezovica”

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ferizaj- Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se ka ndaluar të pandehurin R.M., nën dyshimin se ka kryer veprat penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga kjo prokurori, ku thuhet se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje për 48 orë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në njoftim thuhet se i njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marrë rreth 700 mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

“Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë