Ndalohen 60 persona, Policia gjen 5 pistoleta, dy armë të gjata, 40 thika në aksionin afër shkollave në Ferizaj
Policia e Kosovës ka ndaluar 60 persona të dyshuar për përdorim dhe shitje të substancave narkotike. Ka konfiskuar 5 pistoleta, dy armë të gjata, 40 thika, shufra metali, elektro shok dhe mulli për bluarjen e marihuanës.
“Ndërsa janë ndaluar dhe shoqëruar në polici , dyzetë (40) persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë dhe ndaj tyre janë inicuar raste në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore të Ferizajt. Gjithashtu janë ndaluar dhe shoqëruar në polici edhe njëzetë (20) persona me dyshimin se kanë shitur narkotikë ( marihuanë) dhe ndaj tyre janë inicuar raste penale për Prokurorinë Themelore të Ferizajt”, thuhet në njoftim.
I gjithë ky aksion është zhvilluar afër shkollave të Ferizajt.
Në kuadër të këtij plani, pas disa kontrolleve të zhvilluara nga hetues rajonal me rroba civile, të mbështetur edhe nga njësi tjera , kanë ndaluar dhe kontrolluar shumë nxënës në afërsi të shkollave, dhe persona tjerë në rrugë të ndryshme të qytetit. Gjithashtu, janë bastisur dhe kontrolluar disa lokale ,shtëpi dhe objekte përcjellëse”, ka njoftuar Policia.
Në njoftim bëhet e ditur se janë konfiskuar pesë pistoleta, dy armë të gjata, sasi e municionit, 40 thika, 10 boksa metali, 6 mulli për bluarjen e marihuanës, 14 shufra metalike dhe 1 elektro shok.
Policia ka njoftuar se nën autorizim të Prokurorisë Themelore ët Ferizajt , mbi bazën e disa informacioneve që ka pranuar rreth dukurive negative të nxënësve dhe personave tjerë në shkolla dhe përreth tyre, që në fillim të muajit shkurt 2022 kishte nisur një aksion i koduar ‘’Siguria në shkolla 2022’’.
Aksioni i policisë do të vazhdojë edhe në etapat tjera, nga muaji shtator-2022, me fillimin e procesit të mësimit, me synim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla./BetimipërDrejtësi