NASER ELEZI DËNOHET ME DY VITE BURGIM PËR VRASJE NË TENTATIVË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Naser Elezi i akuzuar për veprën penale “vrasje në tentativë” është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh si dhe iu është konfiskuar pushka automatike AK-47 të kalibrit 7.62 mm si dhe një thikë e gjatë – bajonetë. Shpallja e aktgjykimit ndaj Elezit është bërë të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi. Kundër këtij aktgjykimi palët u njoftuan se kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, më 6 shtator 2010, Naser Elezi akuzohet për veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 178 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Kosovës, sepse me dashje që t’a privon nga jeta të dëmtuarin Fatmir Sopa, ka shtënë në drejtim të tij , në atë mënyrë që derisa i dëmtuari gjendej në oborrin e punishtes “Sopa Company” në Xhurxhedell, Komuna e Kaçanikut, i pandehuri i cili ishte në mal, prej një largësie rreth 20 metrash ka shtënë një herë në drejtim të të dëmtuarit më pushkën automatike AK-47 të kalibrit 7.62 mm, me ç’rast predha ka kaluar në afërsi të tij, e atëherë i dëmtuari Sopa ,me shpejtësi ka hy në veturën e tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe pas kësaj i pandehuri ka shtënë edhe disa herë në ajër.

I akuzuari Naser Elezi para shpalljes së aktgjykimit paraqiti mbrojtjen e tij, ku pohoi se në ditën kritike kishte shkuar tek vendi ku gjendet punishtja e gurëthyesit të kompanisë “Sopa Company” . Tha se aty vetëm kishte  kaluar pasi që rreth saj gjendet edhe toka – prona e tij. Sa i përket gjuajtjes me armë, siç pretendohet në akuzë në drejtim të tani të ndjerit Fatmir Sopa, e që edhe akuzohet se ka tentuar t’a vrasë, i akuzuari Elezi tha se atë ditë kishte dal për të gjuajtur në mal pasi që këtë e bënte çdo ditë. Ai pohoi se ka gjuajtur me armë por tha që ka gjuajtur në ajër dhe atë pasi ishte larguar i dëmtuari Sopa dhe që nuk ka pasur qëllim t’a vrasë. I akuzuari gjatë dhënies së mbrojtjes së tij gjithashtu deklaroi se para ditës kur ka ndodhur ngjarja ai dhe Fatmir Sopa kishin pasur mosmarrëveshje lidhur me atë vend ku kompania e Sopës, kryente punët si gurëthyes, e po ashtu tha që për atë vend kishin problem i gjithë fshati Xhurxhedell, jo vetëm ai.

Në këtë shqyrtim gjyqësor dëshmoi edhe Haki Deda, ku tregoi në mënyrë kronologjjike ngjarjen se si kishte ndodhur më 5 nëntor në vitin 2009. Sa i përket ditës kritike deklaroi se ai dhe punëtorët e tjerë të punishtes së gurthyesit “Sopa Company”, në fshatin Xhurxhedell në Kaçanik, ishin duke ngarkuar kamionët me gurë, e që aty gjithashtu ishte prezent i dëmtuari Fatmir Sopa,. Dëshmitari tutje deklaroi që gjatë asaj kohe të ngarkimit kishte dëgjuar një zë duke thënë “largonu ju tjertë”  e që në atë moment kur kishte kthyer kokën për të parë nga kishte ardhur zëri tha se e kishte vërejtur një person i cili kishte një kapelë të zezë në kokë. Por lidhur me këtë deklarim të tij kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi e ballafaqoi atë me deklaratën e tij të dhënë në polici më 11 nëntor 20009, ku kishte deklaruar “se e kam vërejtur një person me një kapelë të zezë në kokë dhe kishte një armë të gjatë në dorë të drejtuar nga ne”,  mirëpo për këtë dëshmitari Deda deklaroi se ka kaluar kohë e gjatë që prej ditës kur ka ndodhur dhe tha se ka harruar ngjarjen në detaje. Dëshmitari gjithashtu deklaroi se pasi ai person kishte gjuajtur njëherë në armë, e që tha se nuk e njeh se kush ka qenë, ata kanë ikur nga aty, ku i dëmtuari , tani i ndjeri Fatmir Sopa kishte hypur në veturën e tij dhe menjëherë ishte larguar nga aty. Por ai tha se pasi janë larguar pak nga vendi ku ishin më herët ata përsëri kanë dëgjuar të shtëna të tjera në drejtimin e kundërt nga hera e kaluar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë