MYSAFER KALENDERI DËNOHET ME NJË VIT BURGIM ME KUSHT PËR KORRUPSION

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren –Myzafer Kalenderi, është dënuar me një vit burgim me kusht, pasi është gjetur fajtor se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Spitalit të Prizrenit, duke punësuar punëtore në pozitën e mamisë, pa shpallur konkurs publik. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda afatit prej dy vitesh, i akuzuari Kelenderi nuk kryen vepër të re penale.

Shpallja e aktgjykimit është bërë në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, nga Kryetarja e trupit gjykues, Ajsere Skenderi.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 27 prill 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, Myzafer Kalenderi, me arsyetimin se i njëjti, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, nuk ka vepruar konform ligjeve në fuqi, me çka i ka mundësuar personit tjetër, përfitim të paligjshëm, në atë mënyrë që ka punësuar dy punëtore në pozitën e mamisë, pranë Spitalit të Prizrenit, fillimisht me kontratë mbi vepër, si zëvendësuese të dy punëtoreve tjera që kishin shkuar në pushim të lehonisë, ndërsa edhe pas kthimit të tyre në punë, punëtoret e reja kanë vazhduar të punojnë dhe për më tepër u është lidhur kontratë me kohë të pacaktuar, pa konkurs publik.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë