Musa Gërbeshi e pranon fajësinë për veprat penale “detyrim” dhe “rrëmbim të personit”

Raporton: Gzim SHALA

Vushtrri – Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, i akuzuari Musa Gërbeshi e ka pranuar fajësinë për veprat penale “detyrim” dhe “rrëmbim të personit”.

Avokati i të pandehurit, Mahmut Halimi, tha se ka pasur kohë të mjaftueshme të konsultohet me klientin e tij. Ai tha se klienti i tij ka pranuar në mënyrë shumë të vullnetshme të pranoj fajësinë. Duke pasur parasysh këtë fakt dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të të pandehurit, propozoj që Gjykata të marrë një dënim më të ulët ndaj klientit tim, përfundoj Halimi.

Pala e dëmtuar në këtë rast nuk e ka komentuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit. Por ka kërkuar kompensimin e dëmit, i cili arrin vlerën prej 9.000 eurove.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka kryer 12 herë veprën penale të “detyrimit” dhe 3 herë veprën penale të “rrëmbimit të personit”. Musa Gërbeshi së bashku me familjarët e tij, kishin lidhur kontrata me fajde me të dëmtuarit. Gjatë kohës së përmbushjes së këtyre kontratave ata kishin rritur çmimin vazhdimisht në mënyrë arbitrare. Në pamundësi që të paguhet ky çmim nga ana e të dëmtuarve në këtë rast, ata me kërcënime e shantazhe të ndryshme kishin detyruar të njëjtit që të vepronin në dëm të pasurisë së tyre. Në këtë mënyrë, në tri raste, i pandehuri edhe kishte rrëmbyer dhe torturuar “borgjlinjt” e tij. Në një rast përmendet kur një të dëmtuari i ishte thënë “ose paret, ose shpirtin”.

Në 4 pika të dispozitivit të aktakuzës përmendet se i pandehuri ka kryer edhe veprën penale të “kontraktimit jo proporcional”. Prokurori është tërhequr nga ndjekja e këtyre veprave penale.

Gjykata do ta shqyrtojë çështjen e pranimit të fajësisë, dhe në lidhje me këtë do të marrë aktvendim në seancën e ardhshme. Në po të njëjtën ditë, pritet të shpallet edhe aktgjykimi në lidhje me këtë rast.

Seanca e ardhshme do të mbahet me datë 29 shtator 2016, në ora 10:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë