Mungon sërish njëri nga avokatët, dështon gjykimi ndaj ish-inspektorëve të ATK-së të akuzuar për korrupsion

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Driton Haxhija, avokatit Granit Vokshi, është anuluar gjykimi në rastin ku Haxhija po akuzohet bashkë me Skender Fetajn, Ramadan Latifin, Arian Kastratin, Burim Ismajlin, Fisnik e Ramadan Ibishin dhe Selatin Hoxhën.

Dy ish-inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha, akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, kurse Skender Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Ramadan Latifi, Burim Ismajli e Fisnik Ibishi akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, për ndihmë në zbulim të fshehtësisë zyrtare akuzohet Fisnik Ibishi.

Lajmin për anulimin e seancës së të hënës e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra e gjykatësit Valon Kurtaj.

Ata kanë njoftuar se avokati Granit Vokshi, përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se për shkak të një intervenimi kirurgjik nuk mund të jetë i pranishëm, andaj ka kërkuar që seancat e parapara të mbahen sot dhe nesër të anulohen.

Ndryshe, edhe seanca e 15 qershorit kishte dështuar për shkak të mungesës së avokatit Granit Vokshi. 

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 maj 2019, që nga muaji shkurt 2015, e deri më 1 dhjetor 2016, të pandehurit Skender Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija si menaxherë, duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit, i cili ishte në fuqi.

Sipas aktakuzës, këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që edhe pse Skender Fetaj, kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës bashkëvepronin Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, me dijeni dhe dashje të tij kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Tutje, aktakuza thotë se kanë siguruar numra serik të dublifikuar- falsifikuar të roleteve dhe të aparateve të automateve, e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme, e kanë krijuar përfitime të kundërligjshme, pasi kanë qenë pa licencë.

Në aktakuzë thuhet që pas organizimit të kontrollit me urdhër të gjykatës, në tri operacione më 22 e 23 prill të vitit 2015, 23 prill 2016, dhe në operacionin e 1 dhjetorit 2016, në pikat e “EGTK II”, janë gjetur tre roleta të dubilifikuar – falsifikuar.

Sipas aktakuzës, për këto tri rolete që secila ka nga katër ulëse aktive, nuk është paguar akciza për secilën ulëse nga 420 euro në muaj, që për një muaj është shuma prej 5 mijë e 40 euro, nëse llogaritet për një vit shuma e detyrimit është 60 mijë e 480 euro.

Në aktakuzë thuhet se gjatë aksionit të 1 dhjetorit 2016, janë gjetur 18 aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot” të dublifikuara-falsifikuara, të licencuara në qytete të caktuara e të gjetura në qytete tjera.

Sipas aktakuzës, gjithashtu janë gjetur katër aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot”, të cilët nuk kanë qenë të licencuar në ATK, nga rezulton se për çdo aparat të dublifikuar- falsifikuar dhe të palicencuar, gjithsej 23 aparate në bazë të vendimit të Qeverisë të 22 korrikut 2015, është dashur të paguhet akciza mujore prej 700 euro dhe atë në shumë prej 16 mijë e 100 euro në muaj që nëse llogaritet detyrimi vjetor do të ishte 193 mijë e 200 euro.

Me këtë, aktakuza thotë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253 mijë e 680 euro.

Për këtë, ata akuzohen nga PSRK që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Kurse, të pandehurit Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhija dhe Burim Ismajli akuzohen se që nga fillimi i vitit 2016 deri më 1 dhjetor 2016, në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake kanë organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin për Lojëra të Fatit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në njësitë e bastores, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me qen” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka me pas kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Kjo thuhet se vërtetohet nga trasnkriptet e bisedave të zhvilluara mes të pandehurve.

Të pandehurit thuhet se po ashtu me dashje dhe qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kanë zhvilluar aktivitete në bastore sportive në pika – njësi të palicencuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.

Me rastin e kontrollit të këtij biznesi, me urdhër të gjykatës të kryer më 1 dhjetor 2016 thuhet se janë gjetur 16 njësi të palicencuara e sipas Ligjit për Lojëra të Fatit për secilën pikë të re të hapur do të duhej të paguhej shuma prej 5 mijë euro dhe për çdo muaj akciza për një pikë-njësi të bastores shuma prej 840 euro, duke i ikur kështu detyrimit të licencimit fillestar në shumë prej 80 mijë euro dhe akcizës mujore prej 13 mijë e 400 euro.

Me këtë, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumë prej 93 mijë e 400 euro, e nëse llogaritet se këto pika kanë funksionuar më gjatë se një muaj për të cilat është dashur të paguhet akcizë rrjedh se dëmi është shumë më i madh.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

I akuzuari Ramadan Latifi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, kjo pasi më 1 dhjetor 2016, në shtëpinë e të pandehurit në Gjilan, gjatë kontrollit nga ana e policisë me urdhër të gjykatës janë gjetur një revole, një armë e gjuetisë dhe 435 fishekë të armës së gjuetisë dhe revoles, e të cilat i pandehuri i ka pasur në pronësi dhe posedim në shkelje të ligjit për armët e tilla.

I pandehuri Ramadan Ibishi, thuhet se nga fundi i vitit 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare.

Këtë thuhet se e ka bërë në përmes telefonit të tij.

Po ashtu sipas aktakuzës, thuhet se i ka njoftuar personat e paautorizuar- menaxherët e kompanive të lojërave të fatit për aksionet e ATK-së, kur dhe ku ata do të dalin në aksion vetëm apo me policinë e Doganën e Kosovës, e duke u dhënë edhe udhëzime që t’i mbyllin lokalet që këta persona do të mund t’iu iknin ndëshkimeve apo masave të tjera ligjore për punën e kundërligjshme të tyre.

Me këtë, akuzohet se ai ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” .

Ndërkaq, i pandehuri Selatin Hoxha, thuhet se që nga viti 2015 e deri më 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, në cilësi të personit zyrtar, inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material, pa autorizim iu ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit informatat që janë fshehtësisë zyrtare.

Këtë thuhet se e ka bërë përmes telefonave të tij dhe i ka njoftuar menaxherët e kompanive të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokaleve apo edhe është takuar fizikisht me ta për t’i njoftuar për kontrollet e kryera dhe gjobat e shqiptuara duke iu mundësuar që t’i ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Me këtë, akuzohet se ai ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Kurse, Fisnik Ibishi që është djali i të akuzuarit Ramadan Ibishi po akuzohet për veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së në ndihmë e lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Fisnik Ibishi, akuzohet se nga fillimi i vitit 2016, me qëllim të përfitimit material me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Ramadan Ibishi, në kryerjen e veprës penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që i pandehuri Ramadan Ibishi, derisa ka qenë në orar të punës, ia ka përcjellë të pandehurit Fisnik Ibishi informatat zyrtare dhe atë se kur dhe ku do të kryhen kontrolle nga inspektorët e ATK-së në bizneset e lojërave të fatit, i cili më pas ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve duke përdorur gjatë njoftimit fjalorin apo zhargonin “jam në qytetin e Gjakovës, jam në Gjilan, Viti, etj, a ke kohë për kafe”.

Thuhet se në këtë mënyrë iu ka dhënë informata se në cilin qytet janë duke dalë kontrollet e ATK-së për inspektim të lokaleve, e duke ia mundësuar kompanive të lojërave të fatit, menaxherëve të tyre që t’i ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” në ndihmë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë