Mungon sërish i akuzuari, shtyhet gjykimi për kontrabandimin e 50 shtegave cigare nga Serbia
Raporton: Blerim JAKUPI
Kamenicë – Mungesa e të akuzuarit P.Ll., ka bërë që sërish të dështojë seanca fillestare e së martës, në rastin ku ai po akuzohet se në shtator të 2019-ës ka kontrabanduar 50 shtega cigare nga Serbia në Kosovë, me shmangie doganore prej 675 euro.
Gjykatësja e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Valbonë Dërvodeli ka njoftuar se i akuzuari është ftuar përmes Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashëkpunim Juridik Ndërkombëtar, mirëpo gjykata nuk ka marrë konfirmim nëse i njëjti e ka pranuar ftesën apo jo.
Për seancën e radhës, gjykatësja Dërvodeli ka thënë se palët do të njoftohen me kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj P.Ll., me arsyetimin se ai në shtator 2019, përmes rrugës së fshatit Breznicë, e cila gjendet në Republikën e Serbisë, më saktësisht në fshatin Novosellë të Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, me veturën e tij “Shkoda” është zënë duke transportuar 50 shtega cigare “Drina”.
Sipas prokurorisë, ai për këto cigare nuk ka poseduar asnjë lloj dokumentacioni mbi origjinën e tyre, i cili mall është sekuestruar dhe dyshohet se është me origjinë nga Serbia i sjellur në Kosovë përmes rrugëve ilegale.
Tutje, prokuroria ne fjalë pretendon se i akuzuari i është shmangur kontrollës doganore në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 675 euro.
Me këtë, P.Ll. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me mallra”, nga neni 311, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në katër vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.