Mungon sërish i akuzuari që kishte kanosur të dëmtuarin me sëpatë, shtyhet seanca

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan: Mungesa e të akuzuarit për veprën penale “Kanosje”, Xhelet Sopa, ka pamundësuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Ai po akuzohet se në shkurt të 2018-ës, në fshatin Smallushë të Lipjanit, e kishe kanosur me sëpatë seriozisht të dëmtuarin Bashkim Sopa, raporton “Betimi për Drejtësi.

Gjykatësi Selman Salihu për të akuzuarin Sopa ka thënë se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo sipas tij, mungesën nuk ka arsyetuar dhe as nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance e njëjta u shty, ndërsa radhës u caktua më 3 shkurt 2022.

Ndaj të akuzuarit Sopa, gjykata do të lëshon urdhëresë për sjellje në gjykatë përmes policisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 2 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhelet Sopës, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 185, paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sopa, më 28 shkurt 2018, në fshatin Smallushë të Komunës së Lipjanit, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Bashkim Sopa, me mjet të rrezikshëm-sëpatë, duke shkaktuar frikë për jetë dhe ankth tek i dëmtuari.

Në aktakuzë thuhet se pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i njëjti i kishte dalë të dëmtuarit në rrugë derisa ai po shkonte në shtëpinë e tij dhe duke e mbajtur sëpatën në krah iu kishte drejtuar me fjalët “çka keni fol ju të dy në polici për rastin që e kemi pas, kam me ju hjekë njërin nga ju”, duke aluduar në të dëmtuarin apo në ndonjërin prej vëllezërve të të dëmtuarit, derisa ndërhyn kushëriri i tyre dhe e largon të pandehurin. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë