Mungon sërish dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit i akuzuar për mosraportim të pasurisë, shtyhet gjykimi
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë- Për shkak të mungesës së Musa Selimit, dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit i akuzuar për mosraportim të pasurisë, ka dështuar sërish të mbahet seanca fillestare ndaj tij, në rastin ku i njëjti po akuzohet se nuk ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor.
Gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj konstatoi se në seancën e sotme nuk prezanton i akuzuari, për të cilin gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese në seancën e kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata do ta ftojë të njëjtin edhe një herë nga adresa e vendit të punës, pasi që nga e-maili i kthyer nga Policia e Kosovës ka rezultuar se adresa e tij ka ndryshuar.
Ndryshe, në seancën e sotme i pranishëm ishte prokurori Eset Rama.
Për shkak se nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e seancës së sotme, e njëjta u shty për 14 qershor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 mars 2022, i pandehuri Musa Selimi në cilësinë e dekanit të Fakultetit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, funksion i cili kualifikohet në kuadër të zyrtarëve të lartë publik, me dashje ka vepruar kundër Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Tutje sipas aktit akuzues i njëjti ka vepruar në kundërshtim me nenin 10 dhe nuk ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë.
Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430, par.1 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.