Mungon prokurorja, shtyhet gjykimi për dallavere me viza italiane

20200213_101215
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 13, 2020

Prishtinë – Si pasojë e mungesës së prokurores Florije Shamolli, ka dështuar gjykimi i njohur si “Vizat italiane”, në të cilën janë të akuzuar 15 persona.

Në sallën e gjykimit, janë paraqitur të gjithë të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami dhe mbrojtësit e tyre, por që aty ka munguar prokurorja Shamolli.

Bashkë me ta, kanë qenë të akuzuar edhe Ukë Rugova, Astrtit Haraqija, Izet Beqiri, Qefser Baholli dhe Florjan Petani, por ata janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas gjykatëses Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të jetë më efikas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, tha se para fillimit të seancës se është njoftuar nga Prokuroria Speciale, se prokurorja Florije Shamolli, ka rast vdekjeje në familje, ndërsa kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj nuk ka caktuar ndonjë prokuror tjetër për ta përfaqësuar këtë rast.

Seanca e radhës është caktuar më 5 mars 2020, në ora 13:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. /Betimipërdrejtësi