Mungon prokurorja, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për rrahje mes vete

Istog
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Qershor 29, 2020

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, të hënën ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor, në rastin ku Fatmir Kurtaj dhe Ferik Kurtaj po akuzohen se i kanë shkaktuar njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore.

Shkak i mos mbajtjes së seancës ka qenë mungesa e prokurores Suada Hamza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për prokuroren ftesa është dorëzuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk ka prova se e njëjta e ka pranuar ftesën.”, ka thënë gjykatësi i rastit, Gani Rugova.

Gjykatësi Rugova deklaroi se seanca e radhës do të mbahet më 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 9:15 minuta.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Pejë, më 4 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Kurtajt dhe Ferik Kurtajt, për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Fatmir Kurtaj, më 7 janar 2018, rreth orës 13:00, në fshatin Tomoc të Komunës së Istogut, me dashje i ka shkaktuar lëndim të dëmtuarit Ferik Kurtaj.

Sipas aktakuzës, pas një zënke të çastit mes të pandehurit dhe të dëmtuarit lidhur me një çështje pronësore, të dy kanë sulmuar fizikisht njëri tjetrin, ashtu që i pandehuri Fatmir e godet të dëmtuarin Ferik me grushte në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore të përshkruar si në akt-ekspertimin mjeko-ligjor të Dr. Flamur Blakaj, të 19 shkurtit 2019.

Ndërsa i pandehuri tjetër, Ferik Kurtaj, sipas aktakuzës, me datë, orë dhe vend të njëjtë si më lartë, si dhe me përshkrim të njëjtë, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Fatmir Kurtaj. /BetimipërDrejtësi