MUNGON PROKURORJA DHE NJË ANËTAR I TRUPIT GJYKUES, SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION NDAJ ZYRTARIT TË QKUK-SË

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Mos prezenca e prokurores Dulina Hamiti dhe gjykatësit Nexhmedin Sjediu, bëri që seanca kundër të akuzuarit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” Gazmend Rushiti të shtyhet për në shtator. Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti, bëri të ditur se nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e kësaj seance.

Andaj seanca e radhës u caktua më nëntë shtator, në ora 13:15.

I pandehuri Gazmend Rushiti, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 21 korrik 2014, duke shfrytëzuar pozitën e menaxherit të prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik N.T “Agimi-De”, i cili operator kishte ofruar çmime jo normalisht të ulëta. Sipas  aktakuzës  çmimi i ulët kishte  ndikuar që kjo kompani  të shpallet fitues i kontratës  për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material për shtyp” me çmim prej  9 mijë e 708 euro. I njëjti sipas prokurorisë nuk ka respektuar nenin 61 paragrafi 1 të ligjit të Prokurimit Publik, i cili e obligon Autoritetin Kontraktues të dorëzoj shpjegim dhe zbërthim detal të elementeve të tenderit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë