Mungon prokurorja dhe i akuzuari, shtyhet seanca për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë të mbahet ndaj të akuzuarit Abit Kastrati, për veprën penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, u shty sepse prokurorja Dulina Hamiti dhe i akuzuari Abit Kastrati, nuk prezantuan në seancë.
Siç tha gjyqtari i rastit Elmaz Zenuni, prokurorja Hamiti ishte e zënë në një seancë tjetër që është me paraburgim, ku patjetër duhej të ishte prezent, kurse për të akuzuarin Kastrati nuk kishte njohuri pse nuk kishte ardhur në seancë. Seanca u shty në afat të pacaktuar.
Sipas prokurorisë, Abit Kastrati gjatë fillimit të vitit 2007, si ish punëtor në NTSH “Urata” në Prishtinë, dhe i cili në ndërkohë ishte menaxher në firmën NTP “Arjoni Comm” në Prishtinë, kishte përvetësuar një ekskavator i cili gjendej në oborrin e NTSH “Urata”, duke e përdorur për nevoja të firmës së tij NTP “Arjoni”, deri më tetë qershor 2007. Po me këtë datë, policia e kishte gjetur ekskavatorin tek i pandehuri Abit Kastrati në Obiliq, dhe e kishte kthyer në oborrin e NTSH “Urata”. Me këtë rast, i pandehuri Kastrati i kishte shkaktuar dëme kësaj NTSH “Urata”-së, në vlerë prej 32.000 euro. Kësisoj kishte kryer veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.