MUNGON PROKURORJA DHE ANËTARI I TRUPIT GJYKUES, SHTYHET SEANCA

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Mosprezenca e njërit nga anëtarët e trupit gjykues dhe e prokurores së rastit bëri që të shtyhet seanca e paraparë të mbahet kundër zyrtarëve të KEDS-it, Eset Tahiri, Gëzim Gashi, Jusuf Shaljani, Qamil Bekteshi dhe pronarit të hotelit “Begolli” Xhemajl Ramadani.

“Anëtari i trupit gjykues Nexhmedin Sejdiu ka marrë pushim vjetor dhe prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu nuk e ka arsyetuar mosprezencën e saj në seancë. Për këtë arsye më duhet që këtë seancë ta shtyej dhe të njëjtën ta vazhdojmë më 16 shtator”, tha gjykatësja Hasa Hysaj.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më 18 qershor 2015, kundër zyrtarëve të KEDS-it, Eset Tahirit, Gëzim Gashit, Jusuf Shaljanit, Qamil Bekteshit dhe Xhemajl Ramadanit. Të njëjtit pretendohet se më 17 nëntor 2014, në hotelin “Begolli” në Prishtinë, nuk e kanë evidentuar një kabllo nëpërmjet së cilës vidhej rryma, ku më pas kanë përfituar shumën prej një mijë euro nga i akuzuari Xhemajl Ramadani për të mos e shkyqur nga rrjeti elektrik dhe duke mos e konstatuar vjedhjen e rrymës.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë