Mungon prokurorja, dështon të nis gjykimi në rastin e të akuzuarit për posedim të paautorizuar të pistoletës me gaz

IMG_3760
Author

Raporton: Premton SADIKU

Prill 8, 2021

Prishtinë – Mungesa e prokurores Javorka Prlinqeviq u bë shkak që të dështojë të mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Selami Haziri po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me mungesën e prokurores Prilinqeviq, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni deklaroi se kanë tentuar disa herë ta kontaktojnë në telefon, por pa sukses, raporton “Betimi për Drejtësi”

Kështu, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për 26 prill 2021, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 shkurt 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Selami Haziri po akuzohet se në muajin gusht të vitit 2019, në autobusin i cili shkon në relacionin Lipjan – Dobrajë e Madhe, në kundërshtim me Ligjin për Armë, ka pasur në posedim të paligjshëm armë zjarri – pistoletë me gaz, të tipit të panjohur, të cilën ia ka dhënë shokut të tij Festim Gashi përkohësisht, në mënyrë që të bëjë fotografi, të cilën e ka publikuar në rrjetin social “Instagram”.

Me këtë Haziri akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi