Mungon prokurorja, dështon gjykimi ndaj dy të akuzuarve për kryerjen e mbi 20 grabitjeve

Foto nga rasti i datës 11.10.2018
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Tetor 11, 2018

Prishtinë – Mungesa e prokurores së rastit, Fitore Sadikaj ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj Eset Dragusha dhe Albert Leci, të cilët akuzohen për grabitjen e mbi 20 personave.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva deklaroi se në shqyrtimin e së enjtes nuk është prezente prokurorja Sadikaj edhe pse sipas tij, ajo është ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas gjykatësit Kashtanjeva rezulton se prokurorja ftesën e ka pranuar më 11 shtator, por që mungesën nuk e ka arsyetuar.

Seanca e radhës u caktua të mbahet për 7 nëntor, duke filluar nga ora 9 e 30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2018 të akuzuarit Eset Dragusha dhe Albert Leci, akuzohen se gjatë vitit 2017 kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore duke grabitur shuma të ndryshme të të hollave, nga shuma më e ulët prej 100 euro, deri tek shuma më e lartë që kap vlerën 6000 euro.

Prokuroria pretendon se këto të holla të pandehurit i përfituan kundërligjshëm dhe atë nën kërcënimin e armës nga të dëmtuarit, “Maxi”, “Albi Mall”, “Meridian Expres”, “Kam”, “Vipros”, “Albi”, në barnatoren “Humana”, pastaj në pompat e derivateve “Petrol Company”, “ Veda 3 ”, “Labi OIL”, “Veda Petrol”, nga “Western Union” etj.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të pandehurit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të “ Grabitjes” nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” nga neni 374 i KPRK-së.