Mungon prokurori special, disa të akuzuar dhe disa avokatë, dështon gjykimi për krim të organizuar

Sabina
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shtator 11, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca a paraparë për të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku për krim të organizuar lidhur me veprën penale kontrabandim me migrantë, po akuzohet Burrim Krasniqi, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti, Sami Qitaku, Egzon Rrustemi dhe Valmir Gashi.

Ata po dyshohet se duke vepruar si grup i organizuar kriminal me dokumente të falsifikuara kishin dërguar migrantë në mënyrë ilegale nga Kosova në shtetet e Bashkimit Evropian, për të cilat udhëtime kishin kërkuar çmimin prej 2.400 deri 2.700 euro për person, raporton “Betimi për Drejtësi.

Seanca e shqyrtimit fillestar për aktakuzën që është ngritur në tetor të vitit 2013, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit special, Sylë Hoxha, të akuzuarve Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti dhe Sami Qitaku, si dhe avokatëve Kapllan Baruti, Ramiz Krasniqi dhe Hasan Shala.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli tha se prokurori Sylë Hoxha e kishte pranuar ftesën e gjykatës për seancën e së mërkurës, mirëpo i njëjti nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Për të akuzuarin Shaban Krasniqi tha se nuk kishte provë se ishte ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për mbrojtësin e tij, avokatin Ramiz Krasniqi tha se e kishte pranuar ftesën, por nuk e kishte arsyetuar mungesën.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Ismet Rushiti, avokatja Fetije Islami e ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i saj gjendet në Gjermani, dhe se nuk kishte mundur të jetë prezent për këtë seancë, mirëpo ajo njoftoi se ai i kishte premtuar se për seancën e radhës do të ishte prezent.

Për mbrojtësin e të akuzuarit Sabri Osmani, avokatin Kapllan Baruti, dhe mbrojtësin e të akuzuarin Egzon Rrustemi, gjykatësi Konxheli ka njoftuar se të dy e kishin njoftuar gjykatën me anë të parashtresave se ishin të angazhuar me raste tjera dhe nuk mund të prezantonin në këtë seancë.

Për këtë arsye, kjo seancë është shtyrë për të vazhduar me 28 tetor 2019, në ora 09:30.

Para se të shtyhet senca, i akuzuari Burim Krasniqi ka kërkuar lirimin e të bashkakuzuarit tjetër, Valmir Gashi, pasi sipas tij, ai nuk kishte të bëjë me këtë rast.

“Unë kisha kërku me shku në paraburgim veç me liru Valmirin, unë e kam marrë në qafë ky s’ka të bëjë me këtë punë”, ka thënë i akuzuari Kraniqi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 tetor 2013, thuhet se nga fillimi i vitit 2011 e deri me 9 korrik 2012 në Prishtinë dhe territorin e Kosovës, i akuzuari Burim Krasniqi në bashkëveprim me të akuzuarit Sabri Osmani, Milaim Agushi, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti, Sami Qitaku dhe Egzon Rustemi dhe Sadat Murati dhe me të akuzuarit Lupco Stojanovcki, Halil Llamallari, Fazlija Kolic, Ekrem Emini, Sokol Sadiku nga Maqedonia kishin vepruar si grup kriminal, duke kontrabanduar migrantë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Burim Krasniqi kishte qenë organizatori i grupit, pasi në podrumin e shtëpisë së tij në Çagllavicë të Komunës së Prishtinës, dhe Ismet Rushiti me firmën e tij “Illi Disinge”, kishin prodhuar dokumente të falsifikuara si: pasaporta, kartela bankare, patentë shofer dhe letërnjoftime dhe për këto dokumente kishin kërkuar çmimin prej 800 euro deri në 1200 euro.

Këto dokumente, sipas prokurorisë ishin përdorur me qëllim të dërgimit të migrantëve në mënyrë ilegale nga Kosova në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, të akuzuarit Sabri Osmani, Milaim Agushi, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Bekim Beqiri dhe Sami Qitaku kishin marrë pjesë në aktivitete kriminale të këtij grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në kryerjen e kontrabandimit të migrantëve.

Këta të akuzuar, sipas prokurorisë, kishin kontaktuar me persona të ndryshëm të cilin dëshironin të dilnin në mënyrë ilegale jashtë Kosovës, duke u marrë vesh me ta për çmimin e dokumenteve dhe për udhëtimin.

Ndërkaq, të njëjtit pas marrëveshjes, personat e dëmtuar i kishin kaluar nëpër Serbi e pastaj sipas radhës së pritjes i kishin kaluar në këmbë deri e Hungari, duke i shpërndarë me vetura deri në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, për të cilat udhëtime kishin kërkuar çmimin prej 2.400 deri 2.700 euro për person.

PSRK të akuzuarit Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Bekim Beqiri, Sami Qitaku dhe Ismet Rushitin po i ngarkon me veprën penale krimi i organizuar, lidhur me vepre penale kontrabandimi me migrantë.

Të akuzuarit Burim Krasniqi dhe Ismet Rushiti, po ngarkohen edhe me veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa i akuzuari Valmir Gashi për “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, pasi po dyshohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Burim Krasniqi që të arratiset nga Kosova.

Përpos me veprën penale “krim i organizuar”, lidhur me veprën penale kontrabandimi me migrantë, i akuzuari Milaim Agushi po akuzohet edhe për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shtija e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike”.

Kjo pasi sipas prokurorisë, kishte poseduar pesë qese substancë narkotike e llojit marihuanë, me qëllim që t’ia shiste dy personave të mitur K.B dhe S.R, ose t’i shkëmbente me gjësende tjera, ndërsa gjate bastisjes së shtëpisë së tij ishin gjetur 420 gram narkotikë të ndarë në dy qese, ku prej tyre 2.85 gramë ishte lidokainë, 2.03 gramë propylphenazon të përziera me acetaminofen, kofeinë dhe lidokainë dhe 334.87 gram kanabis. /BetimipërDrejtësi