Ferizaj – Seanca e paraparë që të mbahej të premten më 8 prill 2016, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj Fatos Rizvanollit i akuzuar për veprën penale “rekrutim për terrorizëm”, është shtyrë për shkak se prokurori special i çështjes Suad Kuraja ka dal në pension. Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi deklaroi se pas kontaktimit me Prokurorinë Speciale në Prishtinë, të njejtit e kanë njoftuar se pasi që prokurori Kuraja ka dal në pension ende nuk kanë caktuar prokurorin e ri për këtë lëndë.
Seanca e së premtes ndaj Rizvanollit ishte caktuar të mbahej në ora 13:00 ndërsa për këtë lajmërim të mungesës së prokurorit ,palët prezente u detyruan të presin për më shumë një orë.
Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi për këtë shkak konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Fatos Rizvanolli, e i cili ishte shqyrtim fillestar. Seanca e rradhës u caktua të mbahet më 14 prill 2016 në ora 10:00.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Fatos Rizvanolli me veprën penale “rekrutim për terrerizëm” nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.