Mungon prokurori, shtyhet seanca për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Kaçanikut

Raporton : Adem KRASNIQI

Ferizaj – Mungesa e Prokurorit Rasim Maloku, bëri të shtyhet seanca e paraparë të mbahet ndaj të akuzuarve Hajredin Shehu, Agron Shurdhani, Xhelal Gashi dhe Ramiz Shehu  të akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës apo autorizimit zyrtar”. Mungesa e prokurorit ishte për shkaqe shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli bëri përpjekje që të bëjë zëvendësimin e prokurorit, duke pritur rreth një orë. Ishte prokurorja Florije Shamolli ajo që e zëvendësoi prokurorin, por e njëjta nuk ishte e gatshme të përfaqësoj lëndën. “Nuk jam e informuar me rastin dhe nuk dua që të gaboj diçka. Për këtë arsye kërkoj nga gjyqtari që këtë seancë ta shtyj derisa të kthehet prokurori i rastit”, tha prokurorja Shamolli.

Gjykatësi Konxheli vendosi që seanca të shtyhet më 19 shtator 2016, në ora 13:00.

Çështja penale ndaj të akuzuarve zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj , me të cilën të pandehurit Hajredin Shehu, Ramiz Shehu, Agron Shurdhani dhe Xhelal Gashi akuzohen se gjatë muajit nëntor – dhjetor 2007 në Kaçanik kanë keqpërdorur detyrën. Në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ata akuzohen se kanë shpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat. Kjo kishte ndodhur në procedurën e tenderimit për asfaltimin e rrugës lokale të fshatit Stagovë, në Kaçanik, i cili ishte shpallur më 25 tetor 2007 me numër të prokurimit 109788/07/027/521. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Agron Shurdhani  e kishte nënshkruar kontratën me NTP “Burimi” me seli në Kaçanik, edhe pse këtë kontratë është dashur t’a nënshkruaj Menaxheri i Zyrës së Prokurimit. Ndërsa i pandehuri Hajredin Shehu si mbikëqyrës i punimeve për asfaltimin e kësaj rruge më 17 dhjetor 2007 kishte përpiluar një raport ku ka konstatuar se ndërmarrja “Burimi” kishte kryer punët sipas kontratës, edhe pse punimet në rrugë as që kishin filluar. Sipas Prokurorisë, ky raport ishte përpiluar pas marrëveshjes gojore me të pandehurin Xhelal Gashi, i cili si Kryetar i Kuvendit të Komunës së Kaçanikut , këtë raport e kishte konfirmuar edhe me rekomandimin  e 18 dhjetorit 2007 me numër 01-nr.150/2007, në bazë të të cilit raport i pandehuri Ramiz Shehu si ushtrues detyre i zyrës së prokurimit ka lëshuar urdhër-blerje në vlerë prej 267,598 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë