Prishtinë- Mungesa e prokurorit të shtetit, IlazBeqiri, bëri që të shtyhet shqyrtimi kryesor i paraparë të mbahet të enjtën ndaj tre ish- zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani , Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i rastit Beqir Kalludra, tha se nuk ishte njoftuar me kohë për mungesën e prokurorit. “Sapo më lajmëroi prokurori se gjendet në një trajnim në Durrës dhe nuk mund të jetë prezent në seancë”, u shpreh ai. Tutje ai shtoi se përveç mungesës së prokurorit, prezent nuk ishin edhe dy të akuzuarit Bahri Shabani dhe Sami Rrahmani, si dhe avokati Haxhi Millaku, të cilët nuk u paraqitën në gjykatë edhe përkundër ftesave që kishin marrë.
Gjyqtari Beqir Kalludra, theksoi se do të merr masa për mungesën e palëve në procedurë. Sipas tij, për mungesën e prokurorit do të njoftohet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ndërsa për dy të akuzuarit, të cilët nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre, do të lëshohet urdhër për sjelljen e tyre me forcë në seancë. Mirëpo, një veprim të tillë e kundërshoi avokati Basri Jupolli, i cili kërkoi që të mos lëshohet një urdhër i tillë për të akuzuarit, pasi garantoi se në seancën e radhës do të jenë të pranishëm të dy. Sipas tij, arsyeja e mos ardhjes së tyre mund të jetë harresa.
Me këtë rast, seanca e rradhës u caktua të mbahet më datë 8 qershor 2016.
Tre zyrtarët e BSPK-së, prokuroria Themelore e Prishtinës i akuzon se të njëjtit në cilësinë e personave zyrtarë në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, Bahri Shabani si kryetar i BSPK-së, RrahmanEmini si përgjegjës i financave dhe Sami Rrahmani si shofer në këtë institucion, kanë tërhequr nga arka si huazim për Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën e parave prej 11 mijë e 500 euro. Ndërsa një kontratë e tillë nuk ekziston në MPMS, me çka mjetet e tërhequra janë përvetësuar nga të akuzuarit, të cilët e kanë mbyllur arkën në emër të kthimit të huazimit nga kjo ministri.