MUNGON PROKURORI, SHTYHET SEANCA NDAJ PESË TË AKUZUARVE PËR FALSIFIKIM TË DOKUMENTEVE ZYRTARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të enjten, në ora 09:00, ishte caktuar të mbahej seanca gjyqësore ndaj pesë të pandehurve Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi të cilët akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, mirëpo shqyrtimi gjyqësor nuk u mbajt për shkak të mungesës së prokurorit të kësaj çështje Rasim Maloku.

Po ashtu, munguan edhe dy dëshmitarët e ftuar për këtë shqyrtim gjyqësor Rexhep Morina dhe Ilir Thaçi, të cilët janë propozuar nga prokurori.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli lidhur me mungesën e prokurorit, deklaroi se i njëjti në seancën e kaluar të mbajtur para dy ditëve, më 19 korrik 2016, është njoftuar për kohën dhe datën e mbajtjes së seancës, por ai nuk e ka arsyetuar mungesën e tij. Ndryshe palët në këtë rast e kanë pritur prokurorin Maloku rreth 45 minuta. Ndërsa sa u përket dëshmitarëve kryetari i trupit gjykues konstatoi se dëshmitari Ilir Thaçi me anë të ftesës së dërguar nga gjykata ka rezultuar si i panjohur, mirëpo i kontaktuar përmes telefonit nga ana e gjykatës i njëjti kishte konfirmuar se do të jetë prezent në seancë, mirëpo ai nuk e përfilli ftesën e gjykatës dhe nuk u paraqit në gjykatë. Ndërkaq për dëshmitarin Rexhep Morina, Konxheli konstatoi se nga i njëjti dy herë nuk janë pranuar ftesat e dërguara, kurse nuk është arritur të kontaktohet as përmes telefonit, pasi që numri i tij ka qenë i paarritshëm.

Andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore, seanca nuk u mbajt dhe është shtyrë për 7 shtator 2016 në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema,Betim Shala dhe Bujar Dullovi në bashkëkryerje akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”. Ata akuzohen se më 14 korrik 2011, duke qenë në pozitën  Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit për vlerësim të ofertave për tenderin me numër të prokurimit KA652 11 02 7521 të shpallur nga Komuna e Kaçanikut, kanë dëmtuar një kompani për të favorizuar një kompani tjetër. Sipas aktakuzës, në tenderin për destinim ”rehabilitimi i gjelbërimit në rrugën “Ismajl Raka” në Kaçanik”, të akuzuarit, në raportin e vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik NNP “ATC-Com”, NNP “Area”, SHPK “Alfa”, SHPK “Megi Bau GMBH”, kanë paraqitur të dhëna të pavërteta për kushtet teknike dhe profesionale dhe përgjegjshmërinë për operatorin NNP “Area”. Për këtë kompani të akuzuarit kanë deklaruar se i mungojnë referencat për punët e kryera dhe vërtetimi për qarkullimin financiar edhe pse operatori ekonomik NNP “Area” i kishte plotësuar këto kritere. Në këtë mënyrë të akuzuarit i kanë rekomanduar Zyrës së Prokurimit miratimin e ofertës të operatorit ekonomik NNP “ATC-Com”, në vlerë prej 66,573,40 euro në kundërshtim me nenin 32.4 të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës numër 03/L-241, të cilit operator i kanë munguar referencat për punët e kryera. Gjithashtu edhe çmimi i ofertuar nga kjo kompani ka qenë më i lartë se i operatorit ekonomik NTP “Area”, e cila kishte ofertuar me çmimin prej 45,149,35 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë