MUNGON PROKURORI, SHTYHET SEANCA NDAJ ENVER HASANIT

Raporton: Bukurezë SURDULLI   

Prishtinë – Për shkak të mungesës së prokurorit, është shtyrë seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani. Seanca është shtyrë për 15 korrik 2016. Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, i ka njoftuar të pranishmit që ka marrë një njoftim nga ana e prokurorit se i njëjti gjendet në një tjetër gjykim, prandaj nuk mund të vijë që ta përfaqësoj akuzën. Kjo aktakuzë është ngritur nga prokurori Blerim Isufaj, por meqë Isufaj është zgjedhur Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës ai nuk mund ta përfaqësoj aktakuzën në këto rrethana.

Në këtë proces gjyqësor, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngarkon Enver Hasanin me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Më saktësisht, Hasani akuzohet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë. Sipas kësaj aktakuze, në kohën kur ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Hasani kishte shënuar emrin e gjyqtarit Robert Carolan edhe pse ky i fundit nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë