MUNGON PROKURORI, SHTYHET SEANCA KUNDËR TË AKUZUARIT PËR RREZIKIM TË TRAFIKUT PUBLIK
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Seanca e paraparë të mbahej më 6 korrik 2016 në ora 10:30, kundër të pandehurit Blendi Tafarshiku i akuzuar për veprën penale “rrezikimi trafikut publik”, nuk u mbajt për shkak të mungesës së prokurori, i cili nuk e ka njoftuar Gjykatën Themelore në Ferizaj për arsyet e mungesës. Gjykatësi individual i çështjes, Faton Ajvazi tha se për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për zhvillimin me rregull të procedurës, seanca shtyhet për 7 shator 2016 në ora 09:00.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Blendi Tafarshiku me të cilën akuzohet për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik” nga neni 378 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 6 maj 2015, rreth orës 07:20, në Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tij “Citroen C3”, në kundërshtim me nenin 54.1 të LSKRR-së, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve, në atë mënyrë që nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe kushtet në rrugë, ashtu që humbë kontrollin mbi timon dhe kalon në trotuar në drejtimin e kundërt të lëvizjes, godet shtyllën elektrike të cilën e rrëzon, me ç’rast pos dëmit material, lëndime të lehta trupore pëson pasagjeri i tij Nazim Jaha dhe atë ndrydhje në nyjën e supit të djathtë, me pasoja të përkohshme për shëndetin, të përshkruar si në ekspertizën e ekspertit mjeko-ligjor të datës 17 shkurt 2016.