Mungon prokurori, shtyhet gjykimi për uzurpim të lokaleve dhe vetëgjyqësi
Raporton: Albina KRASNIQI
Prishtinë – Në mungesë të prokurorit të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë gjykimi për uzurpim të lokaleve e vetëgjyqësi.
Në këtë rast, A.B. dhe B.G. akuzohen për veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, kurse B.H. dhe S.G. akuzohen për veprën penal “Vetëgjyqësia”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në lidhje me mungesën e prokurorit, gjyqtari i rastit Adnan Kamberi konstatoi se ka prova që i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt me procesverbalin e datës 7 prill 2022 mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.
Ne këto rrethana, në mungesë të prokurorit është shtyrë seanca e paraparë për të enjten, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 28 qershor.
Ndryshe, ndaj të akuzuarit S.G është veçuar procedura dhe ka përfunduar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 4 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj A.B. dhe B.G, të cilët i ngarkon me veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, kurse B.H dhe S.G. i akuzon për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Arben më 10 prill 2018, në Prishtinë, me veprën të pambështetur në ligj, pa të drejtë të shfrytëzimit dhe pa pëlqimin e pronarit Rr.B, vazhdon ta shfrytëzojë pronën e paluajtshme, lokalin nr. 52, në rrugën “Xhorxh Bush”, si pjesë e ndërtesës, me sipërfaqe 15 m2, për të cilin lokal bazuar në kontratën mbi shitblerjen të 19 marsit 2019, nga Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, të dëmtuarit Rr., i është lëshuar certifikata për të drejtën e pronësisë, me aktvendimin numër 011-463-2/724, të 27 marsit 2018.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari B. ngarkohet se më 10 prill 2018, në Prishtinë, me veprim të pambështetur në ligj – pa të drejtë të shfrytëzimit dhe pa pëlqimin e pronarit I.D, vazhdon ta shfrytëzojë pronën e paluajtshme, lokalin nr. 54, në rrugën “Xhorxh Bush”, si pjesë e ndërtesës, me sipërfaqe 15 m2, për të cilin lokal bazuar në kontratën mbi shitblerjen të 19 marsit 2019, nga Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, të dëmtuarit I., i është lëshuar certifikata për të drejtën e pronësisë, me aktvendimin numër 011-463-2/1063, të 13 prillit 2018.
Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari B. më 12 dhjetor 2018, në Prishtinë, në lokalin nr.50, në rrugën “Xhorxh Bush”, ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që ka menduar se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, në atë mënyrë që ka hyrë në lokal, pasi që e ka pyetur Arsimin, nipin e qiramarrësit të lokalit, B.K., se a ke sjellë qiranë për 12 muaj, për aq muaj sa nuk ia ka paguar qiranë, kur ka marrë përgjigjen se nuk do t’ia paguajnë, i akuzuari B. e ka paketuar mallin me kujdes, e ka lënë jashtë lokalit, e ka ndërruar cilindrin e bravës së derës dhe ka pritur në lokal deri sa ka ardhur policia.
Tutje, në dispozitivin e katërt, thuhet se i akuzuari S. më 12 dhjetor 2018, në Prishtinë, në lokalin nr.56, në rrugën “Xhorxh Bush”, ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që ka menduar se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, në atë mënyrë që ka hyrë në lokal, pasi që qiramarrësi i lokalit, V.G, ka kërkuar që t’ia paguajnë qiranë, të cilën nuk e ka paguar për një vit, kur V. nuk e ka pranuar, i akuzuari S, ia ka marrë mallin nga lokali dhe ia ka vendosur jashtë lokalit, e ka ndërruar cilindrin e bravës së derës dhe ka pritur në lokal deri sa ka ardhur policia.
Me këto veprime, A.B. dhe B.G akuzohen për kryerjen e veprës penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Kurse, B.H. dhe S.G. akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vetëgjyqësia” neni 418, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.