Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për keqpërdorim pozite dhe vetëgjyqësi

20190611_132209
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Mungesa e përfaqësuesit të akuzës ka bërë që të dështojë gjykimi, në të cilin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, po akuzohen Hasan Ibraj dhe Elez Gashi, ndërsa për veprën penale të vetëgjyqësisë, po akuzohet Fatmir Bajrami.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, deklaroi se edhe pse Prokurori i Shtetit është ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën nuk e ka arsyetuar.

Përpos të akuzuarve, në sallën e gjykimit morën pjesë edhe dëshmitarët Fehmi Kurtishaj, Safet Saraqi e Xhemë Veseli.

I akuzuar për vetëgjyqësi në këtë rast ka qenë edhe Dardan Bajrami, por ndaj tij është veçuar procedura, pasi Policia e Kosovës me anë të një parashtresë të dorëzuar më 19 prill 2018, sipas urdhëresës për shoqërim, e kishte njoftuar gjykatën se sipas familjarëve të të akuzuarit, ai gjendet jashtë shtetit.

Ndryshe, në seancën e kaluar e cila ishte shtyrë  me kërkesën e të akuzuarit Fatmir Bajrami, organi i akuzës ishte përfaqësuar nga prokurori Feti Tunuzliu.

Seanca e radhës është caktuar për 17 shtator 2019, në ora 9:10.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me aktakuzën e ngritur më 28 korrik 2016, pretendon se i akuzuari Elez Gashi, në cilësi të udhëheqësit të shërbimit të transportit në NLP “Stacioni i Autobusëve”, nuk ka mbikëqyrur zbatimin e rendeve të udhëtimit.

Aktakuza thotë se ai ka lejuar operatorin “Dardi Turizëm”, të të akuzuarit Fatmir Bajrami që me 12 qershor 2014, të hyjë në parkingun e këtij stacioni për ofrimin e shërbimeve edhe pse nuk ka pasur rendin e udhëtimit në ora 15:15 të regjistruar dhe vërtetuar nga MI-ja për transportin e udhëtarëve në linjën Prishtinë- Prizren-Prishtinë të cilën linjë ka qenë duke e realizuar operatori “Sharr Travel”.

Ndërsa, i akuzuari Hasan Ibraj, akuzohet se në cilësi të shefit të Divizionit të Inspektoratit në Ministrinë e Transportit, nuk ka ndërmarrë masa të domosdoshme ligjore kundër këtij operatori.

Sipas akuzës ai edhe pse më 3 prill dhe 7 korrik të vitit 2013, inspektorati i ministrisë ka konstatuar me procesverbale se firma “Dardi Turizëm” ka vepruar pa rend udhëtimi, e nëse ka qenë e nevojshme ka mundur të kërkojë edhe ndihmë nga Policia e Kosovës, ai megjithatë në ditën e përshkruar më lartë nuk ka marr masa ligjore ndaj kësaj firme.

Akti akuzues thotë se ai as nuk e ka ndaluar autobusin e saj për ta dërguar në vendim e caktuar, as nuk ka iniciuar procedurë përkatëse ligjore në gjykatat kompetente për shkak të kundërvajtjeve dhe shkeljeve administrative të vazhdueshme të kësaj firmë në transportin rrugor.

Dy të akuzuarit ngarkohen nga prokuroria me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Nga ana tjetër, Fatmir Bajrami dhe Dardan Bajrami, akuzohen se me kanosje serioze kanë ushtruar të drejtën që kanë menduar se u takon, ku në vend se t’i drejtohen organit kompetent ashtu që duke pretenduar se nuk ekziston asnjë vendim i formës së prerë që ia ndalon veprimtarinë e transportit të udhëtarëve, së pari NN personi e ka ndalur veturën e firmës së Fatmir Bajramit para autobusit të “Sharr Travel” duke bllokuar daljen në parking te rampa.

Sipas aktakuzës, Fatmir Bajrami i është drejtuar ngasësit të automjetit, të dëmtuarit Safer Saraqi, me fjalët kërcënuese “Ti nuk guxon me e drejtue autobusin, ty të ka prue PDK me punue te Sharr Travel, për me majt këtë linjë”.

Kurse, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dardan Bajrami, posa ka dal nga vetura i është drejtuar me sharje drejtorit të firmës “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj dhe pronarit Fehmi Kurtishaj.

Më pas, sipas aktakuzës, ka ndërhyrë policia duke larguar masën e grumbulluar të pasagjerëve dhe në këtë moment i dëmtuari Safet Saraqi ka nisur autobusin për në Prizren, por të njëjtin autobus e ka përcjell autobusi i kompanisë “Dardi Turizëm”, deri në qendër të Shtimes ku thuhet se përsëri ia kanë bllokuar rrugën.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dardan Bajrami përsëri ka vazhduar me sharje e fyerje, derisa në një moment i dëmtuari Saraqi duke kaluar mbi trotuar me autobusin e drejtuar ka tejkaluara këtë bllokadë dhe ka vazhduar rrugën për në Prizren. /BetimipërDrejtësi