Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës

203
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 19, 2020

Viti – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ndaj Fatmir Hetemit, i akuzuar për veprën penale vjedhje e shërbimeve.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e prokurorit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e prokurorit, gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani tha se prokuroria është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk ka mundur të jetë prezent në këtë seancë, ngase është e zënë më një seancë tjetër.

Ndryshe në këtë seanca ka prezantuar i akuzuari Fatmir Hetemi.

Seanca e radhës u caktua për 9 dhjetor 2020, me fillim në ora 13:00

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Hetemit, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1, të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 19 dhjetor 2019, në kohë të papërcaktuar, në shtëpinë e tij në fshatin Mogillë, të Vitisë i pandehuri Fatmir Hetemi, si konsumator i energjisë, me qëllim që vetit t’i sjellë  përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka siguruar shërbime të cilat dihen se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit, ashtu që fillimisht njesori elektrik i është shkyqur nga distance për shkak të borxhit ndaj KEDS-it, mirëpo i pandehuri, pa leje dhe autorizim ka bërë lidhjen e  drejtpërdrejtë në rrjetin elektrik, pa orë matëse, në atë mënyrë që i njëjti ka furnizuar me energji elektrike paisjet elektrike, përmes të cilave është shpenzuar energjia elektrike në mënyrë të paautorizuar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS, Distribuimi në Gjilan e ka dëmtuar në shumën prej 54,76 euro. /BetimipërDrejtësi