Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj komandantit policor në Novobërdë, Shukri Aliu

45612450_960562930794573_6693153566661541888_n
Author

Raporton: Lirie ALIU

Nëntor 8, 2018

Gjilan – Seanca e paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, në rastin ku komandanti i stacionit policor në Novobërdë, Shukri Aliu po akuzohet për marrje të ryshfetit dhe moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, u shty për një datë tjetër.

Gjykatësi Naser Maliqi, për “Betimi për Drejtësi”, bëri të ditur se shqyrtimi në fjalë nuk do të mbahet pasi që prokurori i çështjes, Arben Kadriu gjendet jashtë vendit, për çka ai tha se palët ishin njoftuar me kohë.

Për këtë, seanca në të cilën palët pritej të jepnin fjalët e tyre përfundimtare, u shty për afat të pacaktuar.

Në këtë rast, për veprën penale “mbajtje në pronësi, në kontroll, ose posedim te paautorizuar të armëve”, dhe “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, akuzohej edhe Ivan Dikiq, por që ai kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, me ç’rast ishte veçuar procedura ndaj të bashkakuzuarit Shukri Aliu.

Për të dy veprat penale, Gjykata Themelore në Gjilan, më 6 mars 2018, ndaj të akuzuarit Dikiq ishte shqiptuar dënim unik prej një viti burgim me kusht, në afat verifikimi prej dy vjetësh.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 dhjetor 2017, Shukri Aliu akuzohet për veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 428 paragrafi 1 dhe veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, nga neni 386 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.6 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 2 shtator 2017, i pandehuri Shukri Aliu, në cilësi të personit zyrtar-Komandant i Stacionit Policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë-dru për ngrohje në sasi rreth 5m³, për zbulimin e vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Siç thuhet në aktakuzë, Ivan Dikiq i kërkon një traktor me dru nga Naser Mehmeti për të pandehurin Shukri Aliu, me arsyetimin se i njëjti e kishte zbuluar vjedhjen e malit të Naser Mehmeti, i cili përmes Ivan Markoviq dhe Ivan Dikiq, ia dërgon të pandehurit sasinë e druve dhe përmes telefonit ai e njofton tani të akuzuarin duke i thënë: “Përshëndetje shoq, punën ta kryta, drutë ia dhash Ivanit me ti pru, dhe i pandehuri thotë faleminderit”.

Shukri Aliu, gjithashtu akuzohet se gjatë periudhës kohore 22 korrik deri më 23 korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti mëson se pa leje valide është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, po ashtu i akuzuari Apliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtë martesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, Komandant i Stacionit Policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i lajmëron. /Betimipërdrejtësi