Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj ish-shefit të prokurimit në Gjilan

Gjykata Themelore Gjilan
Author

Raporton: Lirie ALIU

Maj 15, 2019

Gjilan – Mungesa e prokurorit Isuf Sadiku, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, në rastin e kthyer në rigjykim, ku ish-drejtori i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kçiku po akuzohet për veprën penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”.

Gjykatësi Zyhdi Haziri, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se seanca e së mërkurës nuk do të mbahet pasi që prokurori Sadiku, kishte njoftuar me kohë se në të njëjtën ditë ishte i angazhuar në Gjykatën Themelore në Prizren.

Për këtë, ai ka thënë se ka njoftuar edhe palët tjera me kohë, se seanca e së mërkurës, është shtyrë më 18 qershor 2019, me fillim në ora 13:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 19 nëntor 2018, të akuzuarin Kçiku për veprën penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, Kçikun e ka dënuar me shtatë muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Kurse, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ai ishte liruar nga akuza, me arsyetimin se gjykata nuk ka gjetur prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohej se i akuzuari Kçiku ka keqpërdorë detyrën zyrtare.

Por, Gjykata Apeli, më 12 shkurt 2019, këtë rast e ka kthyer rastin në rigjykim, sa i përket veprës penale “asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, kurse e ka vërtetuar aktgjykimin lirues për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me rastin e atakimit të aktgjykimit të shkallës së parë dhe aprovimit të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Kçiku, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja në fjalë të kthehet në rigjykim për shkak të konstatimit se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar konform nenit 384 paragrafi 1 nën paragrafi 1.12 e lidhur me nenin 6 dhe 7  të Kodit të Procedurës Penale.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte ushtruar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Mirëpo, sipas Apelit, për shkak të anulimit të aktgjykimit të shkallës së parë, ankesa e prokurorisë sa i përket vendimit mbi dënimit, tani për tani është jo lëndore.

Sipas aktakuzës, të ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 janar 2018, gjatë vitit 2014 në Gjilan, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.

Aktakuza thotë se ai kompetencat i ka kaluar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për persona tjerë, duke punësuar dy familjarë të tij, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

Sipas aktakuzës, në këtë zyrë kanë qenë të vendosura dosje të tenderëve, e ndër të tjerash edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kçiku dhe mbesën Naime Bunjaku. /Betimipërdrejtësi